Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit, ku në pjesën për Shqipërinë, pasi nënvizohet harmonia fetare, neutraliteti i shtetit dhe legjislacioni në fuqi për lirinë e besimit vihet theksi te sistemi i drejtësisë dhe korrupsioni për zgjidhjen e problematikave që komunitetet fetare kanë për pronësinë.
Raporti thotë se qeveria legalizoi 92 ndërtesa në pronësi të komuniteteve fetare gjatë vitit 2020, krahasuar me 164 në vitin 2019, ndërsa statusi i 32 pronave të tjera mbeti nën shqyrtim.
“Korrupsioni, mungesa e njohurive për kompetencat dhe juridiksionin mbi çështjet e pronës dhe ngarkesat e mëdha në sistemin gjyqësor penguan komunitetet fetare të kërkojnë pronën e tyre”, thotë raporti.
Raporti thekson se Ambasada amerikane u bëri thirrje zyrtarëve të qeverisë që të përshpejtojnë procesin e zgjidhjes së pretendimeve për pronat dhe t’u kthejnë komuniteteve fetare ndërtesat dhe pronat e tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste.
Mes gjetjeve thuhet gjithashtu se pandemia e COVID-19 ngadalësoi programet e mbështetura nga ambasada të përqendruara në zhvillimin e gjithpërfshirjes në komunitet, promovimin e fuqizimit të grave në komunitetet fetare dhe theksimin e pajtueshmërisë së besimit fetar dhe demokracisë.
“Ambasada vazhdoi punën e saj me komunitetet fetare për të dekurajuar tërheqjen nga ekstremizmi i dhunshëm midis të rinjve. Më 5 nëntor, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nisi një raund tjetër të një projekti të mbështetur nga ambasada për të zhvilluar aftësi të të menduarit kritik mes të rinjve dhe për t’i inkurajuar ata të mendojnë për marrëdhëniet midis demokracisë, shoqërisë dhe besimit”, thotë raporti.
Raporti i SHBA vlerëson se nga 3.1 milionë sa është popullsia në Shqipëri, sipas një vlerësimi të mesit të vitit 2020 myslimanët suni përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind dhe bektashinjtë 2 për qind.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




