Njerez

Raporti i BERZH / Kënaqësia e jetesës në Shqipëri ka rënë, në vendet e tjera është rritur

Jetesa e shqiptarëve nuk është përmirësuar në 7 vitet e fundit, lidhur kjo me ecurinë e të ardhurave.

Një anketë e BERZH, tregon se niveli i kënaqësisë së jetës në Shqipëri ka mbetur i njëjti nga 2016-a deri në 2022-shi,  ndërkohë që është dhe më e ulët se në vitin 2006, kur ka filluar matja e këtij indeksi..  Shqipëria është i vetmi vend me një trend negativ në këtë tregues në të gjithë rajonin dhe Europën.

“Rezultatet e kënaqësisë janë rritur me kalimin e kohës në shumicën e ekonomive Një rajon që ka bërë përparim të konsiderueshëm që nga viti 2016 është Europa Juglindore (e cila përfshin të dy (i) vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), Bullgarinë dhe Rumaninë, dhe (ii) Ballkani Perëndimor), me pothuajse të gjitha vendet që shënojnë rritje të ndjeshme të kënaqësisë (përjashtimi i vetëm është Shqipëria, ku ky rezultat ka mbetur pak a shumë i pandryshuar). Ndërkohë, përqindja e njerëzve të kënaqur në Greqi është dyfishuar që nga viti 2016, duke reflektuar përmirësime dramatike në situatën ekonomike të vendit gjatë gjashtë apo shtatë viteve të fundit”, thuhet në raport.

Kosova është një nga shtetet më optimiste në rajonin e BERZH, e treta pas Sllovenisë dhe Estonisë nga shtetet e Europës, me një rritje të ndjeshme në krahasim me raportet e mëparshme. Pas shtetasve të Kosovës, renditet Serbia, e më pas Bosnjë Hercegovina.

Sipas Raportit të BERZH, rritja mesatare e kënaqësisë së jetesës në rajon lidhet me përmirësimin e pagave dhe tregut të punës, shëndetin fizik dhe mendor etj.

“Veçanërisht, vlerësimet e njerëzve për shëndetin e tyre janë përmirësuar ndjeshëm me kalimin e kohës, me vlerësime të tilla që përfshijnë jo vetëm aspektet fizike, por edhe shëndetin mendor. Rezultatet e sondazhit tregojnë se shqetësimi mendor shoqërohet me kënaqësi më të ulët dhe priret të jetë më i përhapur në vendet më të varfra dhe në mesin e individëve që janë financiarisht të pasigurt”, theksohet në raportin e BERZH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë