Nga Gazeta ‘SI’ – Kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete ka raportuar sot para komisionit të Ekonomisë aktivitetin e vitit 2022, ku një ndër debatet kryesore qe ai për kriptomonedhat dhe rregullimi i këtij tregu.
Duke iu përgjigjur deputetit demokrat Arbi Agalliu, Mete tha se AMF monitoron kriptomonedhat, kur ato trajtohen si treg financiar dhe jo si aktivitet. Mete shtoi se bazuar në ligjin e vitit 2020, për blockchain-in, subjektet e interesuara për këtë treg duhet të aplikojnë për licensë dhe se deri tani nuk ka pasur asnjë kërkesë të tillë.
“Ne nuk kemi pasur asnjë kërkesë për licensim. BE ka miratuar rregulloren për këtë treg dhe ne po shikojmë të përafrojmë ligjet. Por ministria dhe ju keni miratuar rregullimin fiskal të kriptove. Në tatimin mbi të ardhurat, të ardhurat nga kriptomonedhat tatohen. Nëse një biznes do të bëjë mining nuk është aktivitet i tregjeve financiare, ato operojnë si biznese në bazë të ligjit e tatimit mbi të ardhurat. Nëse dikush do të licensohet vjen dhe mbikëqyret nga ne. Përtej këtyre nuk është subjekt i joni”, tha drejtuesi i AMF-së.
Mete foli dhe për tregun e sigurimeve duke thënë se gjatë vitit 2022 rezultoi i qëndrueshëm, por pasqyroi efektet e jashtme.
Pyetur nga deputetja Jorida Tabaku, për rënien e vlerës dhe anëtarëve në Fondet e Investimeve, Mete sqaroi se rritja e normës së interesit zhvlerësoi portofolet e investimeve dhe anëtarët janë larguar drejt aseteve të tjera më tërheqëse. Gjithsesi, ai tha se ky treg është likuid dhe me risk të ulët.
Tregu i sigurimeve ka qenë shqetësimi më i madh i deputetit Erjon Braçe, duke e cilësuar si “kënetë”, ku tregu nuk ka konkurrencë dhe nuk lejohet futja e operatorëve të tij.
“Ka një arse, arsyeja është marrëveshja. Këto përqindje të kompanive në treg, nuk ndryshojnë. Pse? Se kanë rënë dakord. Shiten policat dhe pastaj ndajnë të ardhurat. Ky është dinamizmi i tregut? Kjo sjell mungesën e përmirësimit në shërbimin që merr qytetari, kur dëmtohet e kur do të marrë mbrapsh shpërblimin. Rritje që vjen vetëm nga kartoni jeshil. Vit për vit i njëjti problem”, u shpreh i revoltuar deputeti socialist.
Braçe vazhdoi të tregonte se në një periudhë kur bota dhe Shqipëria po përballen me kaatstrofa natyrore, kompanitë nuk ofrojnë dhe nuk promovojnë produkte të tilla.
“Në këtë vend ka katastrofa të mëdha, në të gjithë botën ka promovim, këtu nuk ka një fjali të vetme për promovim të produktit të ri që mbron nga katastrofat. Del pronari dhe thotë po nis sezoni i udhëtimit, bëni sigurimin e udhëtimit. Të shihnit breshrin që bëri katastrofë dje, i bëri të qante njerëzit. Asgjë kompania, asgjë qeveria. Ky treg është kënetë dhe është ligjëruar dhe pranuar ndarja e parave. Nuk futet një i i ri se e di shumë mirë që këta ndajnë paratë “, përfundoi Braçe.
Në vazhdim të raportimit të tij, drejtuesi i AMF-së tha se dëmet e paguara në numër në vitin 2022 ishin në nivelin më të lartë historik. Numri i kërkesave për dëmshpërblim të paguara nga shoqëritë e sigurimit gjatë vitit të kaluar arriti në 55.705, për një vlerë totale prej 6.25 miliardë lekë. Viti i kaluar shënoi gjithashtu rritje të numrit të dëmeve të paguara për sigurimin e detyrueshëm motorik TPL. Pagesat e larta të dëmeve gjatë vitit 2022, sollën edhe ulje të stokut të dëmeve në status pezull (ende të papaguara). Në fund të vitit të kaluar, dëmet pezull të shoqërive të sigurimit ishin vetëm 13.4% e gjithë dëmeve të trajtuara nga ana e tyre, niveli më i ulët historik.
Për të njëjtën periudhë, dëmet pezull raportohen në vlerën e 6.6 mld lekëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



