Bashkitë në Shqipëri e kanë rritur transparencën duke i vënë në dispozicion publikut më shumë informacione online, edhe pse jo të gjitha vendimet apo urdhrat e kryetarëve të tyre janë publikuar, ndërsa shumë pak premtime elektorale janë mbajtur, sipas një monitorimi të kryer nga Qendra Faktoje* përgjatë 2021-shit.
Monitorimi tregon se në 15 bashki të vendit të gjitha e kanë publikuar programin e transparencës dhe 14 prej tyre kanë emëruar koordinatorët për të Drejtën e Informimit, ndërsa vetëm 8 prej tyre kanë caktuar edhe koordinatorin për konsultimin publik.
Performanca e institucioneve të pushtetit vendor në Shqipëri u testua në kuadër të projektit “65 premtime – 15 bashki” zbatuar nga Qendra Faktoje dhe mbështetur nga organizata National Endowment for Democracy (NED).
Në analizë janë përfshirë 10 bashkitë e monitoruara një vit më parë – Shkodrës, Lezhës, Kukësit, Elbasanit, Belshit, Korçës, Pustecit, Vlorës, Fierit, Patosit. Në këtë monitorimi janë shtuar 5 bashki që po përballen aktualisht me procesin e rindërtimit të banesave pas tërmetit të nëntorit 2019 – Bashkia e Durrësit, Shijakut, Vorës, Krujës dhe Kurbinit.
Raporti vë në dukje se bashkia me performancën më të lartë është ajo e Shkodrës që ka realizuar kërkesat e legjislacionit lidhur me transparencën në nivel maksimal (100 për qind. Ajo ndiqet nga Bashkia e Korçës dhe ajo e Vlorës, të cilat rezultuan transparente për publikun në masën 86.6 për qind, duke realizuar 13 nga 15 indikatorët e matur.
Bashkia me performancën më të dobët ishte ajo e Kurbinit, ku niveli i transparencës është vetëm 13.3 për qind.
Bashkitë e monitoruara patën një performancë të mirë në konsultimin publik të buxhetit vjetor dhe në publikimin e tij në faqen e internetit. Njëmbëdhjetë nga 15 bashkitë e monitoruara realizuan konsultime publike për hartimin e buxhetit dhe e publikuan buxhetin vjetor.
Por, njësoj si vitin e kaluar, performanca nuk ishte e mirë sa i përket konsultimeve publike për paketën e taksave dhe tarifave vendore ku vetëm 10 nga 15 bashkitë e monitoruara kishin zhvilluar konsultime publike për këtë çështje.
Nga ana tjetër, 13 bashki i kanë publikuar Vendimet e Këshillit Bashkiak dhe vetëm në pesë nga dhjetë bashkitë e monitoruara ishin publikuar njoftime për realizimin e konsultimeve publike nga ana e Këshillit Bashkiak. Vendimet dhe urdhrat e Kryetarit të Bashkisë janë publikuar nga vetëm dy nga dhjetë bashkitë e monitoruara, përkatësisht Shkodra dhe Korca.
Me synim rritjen e llogaridhënies, për secilën nga këto bashki u përzgjodhën gjithashtu 4 premtime të bëra nga kryebashkiakët aktuale gjatë fushatës së fundit elektorale për zgjedhjen e tyre. Këto premtime u monitoruan në bazë të një metodologjie analitike që përfshiu analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik dhe vëzhgimet në terren.
Analiza tregoi se nga 65 premtime të bëra përpara publikut në të 15 bashkitë e monitoruara, vetëm 12 janë mbajtur plotësisht. Të vetmet bashki që kanë mbajtur dy premtime janë ajo e Shkodrës dhe e Lezhës. Rreth 50 për qind e premtimeve të bëra nga bashkitë apo titullarët e tyre nuk janë mbajtur dhe 30 për qind e tyre janë mbajtur pjesërisht.
Premtimet kanë lidhje kryesisht me investimet e reja apo rikonstruksione të deklaruara gjatë fushatave elektorale.
Monitorimi i bashkive për vitin që lamë pas është një vijimësi e projektit të Qendrës “Faktoje” dhe synon jo vetëm analizimin e situatës, por rritjen e transparencës dhe llogaridhënien e institucioneve të pushtetit lokal në Shqipëri.
*Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact-Checking Network.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



