Kryeprokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, ka prezantuar përpara Komisionit të Ligjeve raportin e Prokurorisë për vitin 2018. Në këtë raport ajo ka bërë me dije se ky vit nuk ka qenë i zakonshëm për shkak të zhvillimeve të shumta nga Vettingu. Sipas saj, ka pasur ndikim negativ në punën e prokurorëve.
“2018 ka qenë një vit jo i zakonshëm për shkak të Vettingut. Janë bërë shumë shkarkime prokurorësh, kjo do të thotë që prokurorët kanë qenë pak apatikë, pasi në mënyrë të pashmangshme ky proces ka ndikuar negativisht mbi ta, duke i bërë edhe të pasigurt. Pavarësisht se të gjithë këtu kemi rënë dakord që reforma duhej dhe vettingu është i pashmangshëm pasojat janë këto”, është shprehur ndër të tjera Arta Marku.
Më pas, kryeprokurorja Marku ka thënë se gjatë vitit 2018 ka pasur një ulje të kallëzimeve penale dhe se prioritet ka qenë zbatimi i ‘Reformës në Drejtësi’.
“Ka një ulje të lehtë të numrit total të materialeve që janë trajtuar nga prokuroria, por nuk mund të tregohet në asnjë mënyrë si rënie e treguesve të punës së prokurorisë. Prokuroria është institucion që nuk punon vetëm dhe vetëm një numër i ulët mund të jenë regjistruar me iniciativën e saj pjesa tjetër janë referime nga policia dhe institucione të ndryshme”, ka thënë kryeprokurorja.
Kryeprokurorja Arta Marku tha se Prokuroria gjatë 2018 ka goditur rrjetet kriminale, korrupsionin në qeverisje dhe grupimet mafioze kudo ata veprojnë. Ajo shtoi se në vitin 2018, qarku me kriminalitetin më të lartë është Vlora, ndërsa me kriminalitetin më të ulët është Dibra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




