Gazeta Si – Portugalia është çerekfinalistja e fundit e Katar 2022. Pass fitores së thellë, 6-1 ndaj Zvicrës, skuadra e Santos do të ndeshet me Marokun në turin tjetër. Me Ronaldon 73 minuta në stol, skuadra portugeze u udhëhoq nga një Gonçalo Ramos i jashtëzakonshëm. Tripletës së tij i shtohen edhe golat e Pepe, Guerreiro e Leao. Ishte një mbrëmje makthi për Zvicrën.
Skenën e rrëmbeu ‘heroi’ që nuk e pret. Gonçalo Ramos, sulmuesi 21-vjeçar i Benfikës, u preferua nga trajneri Santos në vend të Kristiano Ronaldos. Rezultati? Tre gola në fitoren e thellë të Portugalisë ndaj Zvicrës dhe tashmë ka pak ose aspak dyshime, nëse ai meriton të jetë titullar apo jo.
Futbollisti 21vjeçar kaloi Portugalinë në avantazh në minutën e 17-të. Pepe me kokë do të shënonte edhe golin e qetësisë për luzitanët, duke i dhënë një goditje të fortë skuadrës së Xhakës dhe Shaqirit.
Shpresat e zviceranëve do të shuheshin përfundimisht në fillimin e pjesës së dytë, kur Ramos dhe Rafael Gurerrero realizuan edhe dy gola të tjerë për Portugalinë. Akanji shkurtoi shifrat në 4-1, duke shënuar golin e nderit në ndeshjen e fundit të Katar 2022 për skuadrën e tij.

Para se të zëvendësohej, Ramos do të shënonte edhe golin e 5-të për Portugalinë dhe të tretin personal. Minuta edhe për Ronaldon dhe në fund për Leaon, me lojtarin e Milanit që shton vuajtjet e Zvicrës me golin e 6-të. Përfundimisht, Portugalia ishte shumë e fortë për Zvicrën, që tashmë duket të kthehet në shtëpi. Për skuadrën e Santos në çerekfinale është surpriza Marok.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



