Shqipëria ka nisur këtë të shtunë vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve, ndërsa Ministria e Shëndetësisë thotë se nuk do të aplikojë kufizim moshe për vaksinimin me këtë produkt. Procesi i vaksinimit me AstraZeneca ka nisur fillimisht në Tiranë në shkollën “4 dëshmorët”, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se nga dita e hënë do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
“Sipas njësive administrative dhe me shkolla që do të shërbejnë si njësi vaksinimi. Ka orare dhe do të vijnë të bëjnë vaksina. Do të arrijmë që të kryejmë vaksinim intensiv, do të vaksinojmë edhe pensionistët”, tha Rama.
Më tej kreu i qeverisë foli edhe për sigurinë e vaksinës AstraZeneca, duke theksuar se në vend kanë mbërritur vaksina e prodhuar në filialin e kompanisë në Suedi.
“Është e pamundur teorikisht se nëse do kishte të vërtetë shqetësuese të lejonte bota, lëvrimin e sasive. Sasia që morëm erdhi nga Suedia dhe nuk do të lejonte të vinin nëse do kishte diçka. Drejtori i Institutit Publik në Shëndetësor në Itali, tha se ka një seri të veçantë që është pezulluar për të bërë verifikimin. Në Britani po vaksinohen me këtë vaksinë dhe nuk ka shanse të jetë një injeksion që të shkaktojë situata dramatike për shëndetin. Suedia nuk do ta lejonte të vinte nëse do kishte probleme,” shtoi kryeministri.
Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh se Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që të mos aplikojë kufizim moshe për vaksinën AstraZeneca, siç kanë bërë disa vende, që e kanë ndaluar mbi moshën 65 vjeç.
“Do të vaksinojmë edhe mbi 65 vjeç, edhe mbi 80-vjeçarët. Do të vazhdojmë procesin”, tha ajo.
Avantazhi i kësaj vaksine, sipas Kryeministrit, është që ka një periudhë 8 deri në 12 javë mes marrjes së dozës së parë nga doza e dytë. Kjo, tha Rama, i jep kohë dhe më shumë mundësi vendit që të sigurojë dozat e tjera.
Drejtorja e IShP-së, Silva Bino deklaroi se nisur nga ky fakt, të 38 mijë e 400 dozat e marra në kuadër të mekanizmit Covax do të injektohen tek 38 mijë e 400 qytetarë, të cilët pas 8 deri në 12 javësh do të marrin edhe dozën e dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje