Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama në një konferencë më gazetarët komentoi vendimin e Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Sipas kreut të qeverisë, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme nuk përmbushte asnjë kusht minimal që të merrej në konsideratë.
Megjithatë ai përsëriti se inkurajon SPAK-un për të hetuar Belinda Ballukun deri në gjetjen e një prove që e implikon atë me korrupsionin.
Rama shtoi se vendimit të djeshëm sipas tij iu dha një jehonë e deformuar, ndërkohë që theksoi se nuk ka asnjë frenim në rrugën drejt BE.
“Kërkesa e SPAK nuk i përmbushte kushtet për t’u marrë në konsideratë, ndërkohë që përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo t’i dhënë refuzimit përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do pengojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi apo do pengojë aktivitetin e pavarur të drejtësisë, është përpjekje e shëmtuar, madje në dëshpërimin e vet ka të gjithë ato ingredientë që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet dhe që hapat e shpejtë me të cilat ne po ecim në procesin e negociatave të frenohen.
Dua t’i siguroj të gjithë nuk ka asnjë frenim në rrugën tonë të pandalshme drejt anëtarësimit në BE”, tha ai.
Rama pranoi se është e vërtetë që kanë pasur debat me disa nga partnerët e vendit lidhur me këtë çështje, por shtoi se “nuk pranoj të më shikojë njeri nga lart poshtë”.
“Nga ana tjetër, është e vërtetë që kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje. Dhe sikundër besoj e dinë shumica, por bëjnë sikur s’e dinë pakica, unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët, interesin e vendit dhe një nga normat e pa diskutueshme të këtij përfaqësimi është t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. As mua nuk më shkon mendja të shikoj njeri nga lart poshtë po as nuk pranoj të më shikojë njeri nga lart poshtë. Përtej mënyrës se si është karikatura e pazarit politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje