Politike

Rama: Të pakënaqurve u them se nuk ka rrugë tjetër, tjetra është katastrofë

Kryeministri Edi Rama ftoi gratë dhe vajzat e Elbasanit që të votojnë për Partinë Socialiste.

“Nuk ka stacion më të bukur dhe të duhur, se sa ky stacion, me gratë dhe vajzat e Elbasanit, për të folur për zgjedhjet e 25 prillit, e cila është e qartë, mes këmbënguljes, punës, besimit dhe durimit dhe dorëzimit, e kthimit mbrapa, e rifillimit para disa vitesh si ka ndodhur në të shkuarën.

Disa herë shqiptarët kanë bërë një zgjedhje që i ka çuar pranë greminës. Duke u tërhequr prej hunde nga drejtues të papërgjegjshëm.

Kanë zgjedhur më pas për të mos u zgjatur, të shkojnë pas Sudes, Vehbiut, Xhaferrit, duke menduar se duke dhënë një merr dy, e s’ke nevojë të lodhesh, të punosh. Kështu është dhe zgjedhja e 25 prillit, ata që duhet të rikthehen japin këtë recetë. Si mund të jetë kështu, si mund të ndodhë kështu, e si mundet të ketë sot njerëz që të besojnë akoma në këto lloj çudish, çudish të dhimbshme, të cilat shqiptarët i kanë paguar shumë shtrenjtë në të shkuarën...”, tha Rama.

Kryeministri Rama foli edhe për rolin e gruas gjatë qeverisjes së PS.

“Ne sot kemi një qeveri kur më shumë se gjysma janë nëna, gra. Ne kemi në nivelin e administratës shumë gra që drejtojnë. Historitë e suksesit e grave dhe vajzave janë më tepër sot, sot duket diçka e zakonshme që në këshillat bashkiak të jenë gra e vajza. Vërtetë që sot duket e zakonshme, por për të arritur këtu, duhej një punë e madhe nga PS. Duke qenë gjysma më e mirë, në çdo çift, duke qenë shtylla në çdo familje, gratë dhe vajzat janë të parat që duhet të kuptojnë dhe të bëjnë të tjetër të kuptojnë që Shqipëria të bëhet e ardhmja jonë duhet shumë mund. Kërkon të vazhdojmë të bashkuar, të ngjitemi pa u dorëzuar”, tha Rama.

Duke folur për arritjet, kryeministri Rama tha se ka edhe shumë njerëz të pakënaqur.

“Nuk duhet të biem pre e kënaqësisë për gjërat që kemi bërë, ka shumë njerëz të pakënaqur, unë ata i mirëkuptoj, por i them se nuk ka rrugë tjetër, sepse rruga tjetër mund të jetë katastrofë. Janë po ata që i kemi provuar dy herë dhe e kemi parë që kanë dështuar, si mund të përsëritet e njëjta gjë, nuk duhet të ndodhë dhe s’do të ndodhë...”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë