Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Qytetin Studenti ku ka biseduar me studentët dhe ka parë ecurinë e punës për rikonstruksionin e konvikteve.
Kreu i qeverisë ka parë afër godinat 28/29 ku kanë përfunduar punimet në ambientet e përbashkëta dhe bëri një premtim tjetër para studentëve, duke thënë se të gjitha konviktet e Shqipërisë do të rindërtohen deri në fund të mandatit.
“Besoj që deri në fund të këtij mandati, të gjitha konviktet e Shqipërisë do jenë rindërtuar me këto standarde. Po përgatisim edhe gjithë inventarin e nevojshëm për shpronësimet, ndërkohë që projekti i ndërtimit të hapësirave të reja, qoftë të natyrës rekreative, qoftë akademike është duke u realizuar ”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri tha se janë në pritje të fundvitit akademik për të ndërhyrë në rikonstruksion total si dhe do punohet për kampusin që është një investim shumë i madh.
“Për një pjesë të mirë të dhomave ndërhyrja do bëhet gjatë verës.
Me fillimin e mandatit të ri të Bashkisë së Tiranës do të ecim me punën për kampusin. Është një investim goxha i madh, por do bëhet. Ashtu siç do fillojnë në fund të këtij viti e në fillim të vitit të ardhshëm investimet e tjera për auditorët, etj”, deklaroi Rama.
Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Rama nuk kurseu as batutat me ta. Ai tha sezonin e shtynë vetë studentët në korrik për shkak të protestave që zhvilluan.
“Sezonin e zgjatët vetë, bravo ju qoftë… Si dihet mund të bëhet dhe ndonjë bllokim tjetër rrugës dhe mund ta shtyjmë dhe në gusht, nuk ka problem, aty e keni. E zgjatët vetë, në vend të shkonit në korrik me pushime, të bënit dhe ndonjë punë të mblidhnit ndonjë lekë, do rrini këtu në mes të vapës. E ça vape do jetë këtë korrik…?! Nuk e keni idenë”, tha ndër të tjera kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



