Lajme

Rama takon ndërtuesit në Durrës: Rregulloni pallatet ose hyni në burg

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim urgjent me ndërtuesit në Durrës, ku i paralajmëroi ose të rregullojnë pallatet që kanë në përgjegjësinë e tyre ose do të futen në burg.

“Ky është vendimi i popullit, ata ndërtues që i janë shembur ndërtesat e bëra prej tyre do të shkojnë në burg, në rast se kemi të bëjmë me një dëm sipërfaqësor të gjithë juve ju takon ta riparoni dëmet duke pasur parasysh standardet teknike”, deklaroi kreu i qeverisë. “Muret do të riparohen tërësisht. Nëse nuk e bëni vet, do të thotë që do i bini në qafë tasksapaguesit, që do i bëni dëm shtetit. Unë nuk dua t’ia di fare si është situata e juaj ekonomike sot, më mirë ndërtoni ato që janë në përgjegjësinë tuaj se sa i humbni edhe ato që keni”, u shpreh ai.

Rama tha se ndërtuesit duhet të nisin urgjent punë, të ngrenë kantierët, pasi përndryshe ndaj tyre do të ketë masa të ashpra.

“Po i bie shumë shkurt, se s’dua të bëj filma. Që nesër bashkia do jetë në dispozicionin tuaj, gati për të nisur punë. Ngrini menjëherë kantierët. Ne do vëmë njerëz mbi kokë, ju jeni në rregull. Kush tërhiqet nga kjo punë, do të jem unë dëshmitar. Ua keni detyrim popullit, ua keni për detyrë fëmijëve tuaj t’ua lini emrin pa njollë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë