Pas tragjedisë që po përjeton populli shqiptar, nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm ka mbledhur sërish qeverinë në një mbledhje të jashtëzakonshme.
Kreu i qeverisë tha se ditën e sotme do të mblidhet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit, ndërsa do të aktivizohet fondi prej 1 milion lekësh të reja.
Gjatë fjalës së tij, mes të tjerash, ai theksoi se reagimi i parterëve është inkurajues.
“Fondi prej 1 milion lekësh të reja do të aktivizohet sot. Reagimi i parterëve është inkurajues. Mos harroni se është edhe një familje në Kosovë që duhet kontaktuar dhe duhet ta marrë këtë fond. Fëmijët do marrin bursën prej 15 mijë lekësh që do ta kenë deri në fund të shkollës së tyre, gjimnaz apo dhe universitet. Sot mblidhet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit dhe me rëndësi është organizimi i punës”, tha kryeministri Rama.
Sa i përket shkollës, Rama bëri thirrje që në këto ditë mësimi duhet të kalojë në plan të dytë, pasi janë më të nevojshme bisedat dhe lojërat që ndihmojnë anën psikologjike të fëmijëve.
“Duhet që në këto ditë mësimi të kalojë në plan të dytë. Duhen organizuar biseda, lojëra, shtëtitje të përbashkëta. Do kemi kohë të rikuperojmë orët e mësimit dhe kjo është koha për të bërë sa më shumë në këtë aspekt. Çdo klasë në zonat e prekura ka nevojë për këtë asistencë njerëzore”, tha Rama.
Nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit humbën jetën 51 persona dhe mbetën të plagosur më shumë se 900 të tjerë, një bilanc tragjik për një vend të vogël si Shqipëria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.