Kryeministri Edi Rama u përsëriti vendeve anëtare të Bashkimit Europian se sot Shqipëria nuk po kërkon anëtarësim në union, por meriton që të nisin bisedimet për këtë proces. Ai akuzon BE se po tregohet dritëshkurtër dhe hipokrite.
“Siç jemi Sot nuk jemi gati për të hyrë në BE por jemi gati për të hapur negociatat. Këto qëndron kontradikta dhe Europa po tregohet dritëshkurtër dhe hipokrite. Shqipëria meriton të hyjë në rrugën e negociatave dhe pikë”, tha ai në një intervistë për Euronews.
“Shqiptarët nuk lodhen nga përpjekjet dhe lufta për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Sigurisht, zhgënjime ka pasur se Europa nuk ka mbajtur premtimet e saj”. Me këto fjalë, Kryeministri Edi Rama ripërsëriti besnikërinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në anëtarësimin e plotë në BE.
“Ne i kemi bërë detyrat tona dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë, sepse për ne është hera e parë në histori kur mund të zgjedhim. Nuk kemi pasur asnjëherë mundësi zgjedhjeve, por të tjerët vendosnin për ne”, deklaroi Rama.
Rama thotë se rreziku i aktorëve të tretë në Shqipëri është më i vogël dhe e shpjeson se pse.
“Nëse nuk integrohet plotësisht në BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet një zonë gri dhe tërheqëse për aktorë të tjerë, aktorë të tretë që nuk ndajnë të njëjtat vlera dhe parime që ofron BE. Për Shqipërinë, nuk shoh ndonjë rrezik të tanishëm, sepse shqiptarët janë shumë fanatikë për perëndimin dhe Bashkimin Europian. Vendet e tjera, kush më shumë e kush përballen me ndikimet e këtyre aktorëve të tretë”, vijoi Kryeministri.
Por, a u votua për mandatin e tretë për shkak të progresit të arritur nga reformat dhe rruga drejt integrimit në BE?
“Mendoj se populli shqiptar ka një ndjesi të qartë se puna nuk është përmbyllur ende. Mandati i tretë është një mandat i qartë për ta përmbyllur këtë punë. Nuk është një shpërblim për punën që është përmbyllur”, përgjigjet Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.