Politike

Rama sjell shembull Singaporin: Pse të riatdhesuarit duhet të karantinohen në hotele

Kryeministri Edi Rama thotë se Qeveria nuk do të heqë dorë nga kushti i vendosur për vetëkarantinim 14-ditor jo nëpër banesa, por nëpër hotele për të gjithë personat që do të riatdhesohen në fazën e dytë, që është paralajmëruar të hapet këtë fudnjavë.

Shembullin se përse për këtë mision nuk ka rrugë tjetër, Rama e solli nga Singapori.

“Singapori u mbajt si shembulli më fantastik i përballjes me epideminë, me numrin mē të vogël të të infektuarve e të të vdekurve për numër popullsie. Por gjërat u përkeqësuan kur u lejua riatdhesimi i pak më shumë se 500 studentëve, të cilëve i’u kërkua të vetëkarantinoheshin në familje, pa futur në karantinë gjithë familjen. Numri i të infektuarve u rrit ndjeshëm, përmes familjarëve të të riatdhesuarve dhe ky ishte një mësim, jo vetëm për Singaporin po edhe për vendet e tjera, të cilat fillimisht ulën ndjeshëm numrin e të riatdhesuarve, duke i detyruar të karantinohen në hotele dhe pastaj filluan të ndalonin fare riatdhesimet”, thotë Kryeministri.

Ky shembull e bind Kryeministrin se nuk duhet të hiqet dorë nga karantinimi në hotele dhe kërkon mirëkuptim si e vetmja rrugë, sipas tij.

“Ne do të rihapim rrugën e riatdhesimeve siç e kemi bërë publike dhe nuk do të tërhiqemi nga kushti i karantinimit të detyruar në hotel! Por ju lutem të gjithë atyre të cilët nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë se pse, kjo rrugë është e vetmja dhe s’ka një rrugë tjetër për të mbrojtur popullin e vendin tonë nga një valë e re infektimi, që të paktën, përpara se sa të shajnë e të mallkojnë a thua se kjo është punë qejfi apo dëshire e qeverisë për t’ua vështirësuar riatdhesimin”, deklaron Rama.

Durim, Kryeministri kërkoi për të gjithë kritikët, duke premtuar se paketa e riatdhesimit do të mundësojë lehtësi financiare për këtë kategori.

“Të bëjnë edhe njëçikë durim derisa ta shohin konkretisht paketën e riatdhesimit! I siguroj që paketa do të jetë shumë e arsyeshme për ta dhe qeveria do të bëjë gjithçka mundet që kostoja financiare e riatdhesimit, të jetë optimale brenda kushteve ku po jetojmë e po veprojmë të gjithë”, deklaron ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë