Politike

Rama: Situata me zjarret e përmirësuar. Neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama e cilësoi si “të përmirësuar” situatën e zjarreve në vendin tonë.

Me anë të një postimi në Facebook, Rama theksoi nga ana tjetër se ende ka “rreziqe e të papritura në çdo çast”.

Ndërkohë që nuk kurseu të bënte dhe një kritikë për reagimet mediatike. Ai shprehu “neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi”.

Kujtojmë se ditën e djeshme, në të gjithë territorin e Shqipërisë janë regjistruar 37 vatra aktive zjarri në disa qarqe, përfshirë: Vlorë, Dibër, Berat, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër, Kukës, Korçë dhe Lezhë.

Në terren janë angazhuar forcat e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), Forcat e Armatosura, policia e shtetit, si dhe forcat rajonale të emergjencave.

Operacionet për shuarjen e flakëve po mbështeten edhe nga helikopterë çekë dhe sllovakë, të cilët janë vendosur në dispozicion për të përballuar situatat më të vështira dhe për të ndërhyrë në zona të thella e të paarritshme me mjete tokësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë