Politike

Rama: Porto Romano pjesë e planeve të NATO-s së shpejti. Begaj: Banjska tregoi sa e brishtë është siguria në rajon

Nga ceremonia e përurimit të bazës ajrore në Kuçovë, kryeministri Edi Rama premtoi se Shqipëria do të forcojë më tej kapacitetet e saj mbrojtëse, pas 2 helikopterëve dhe 3 dronëve të blerë së fundmi.

Hapjen e bazës së re të aleancës, kreu i qeverisë e cilësoi si një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, i cili nuk mbetet i parrezikuar nga kërcënimet ruse.

“Jetojmë në një epokë tjetër dhe Shqipëria ndodhet në anën tjetër duke mirëpritur me krenari aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë e cila është në radhë të parë një aleancë vlerash në mbrojtje të paqes. Jam i lumtur që një punë e nisur prej kohësh arriti të përfundojë, dhe sot me ne janë plot miq e partnerë që do të doja t’i falënderoja në mënyrë të posaçme. Kjo bazë është e transformuar dhe e gatshme me një rëndësi që i kalon kufijtë e Shqipërisë.

Është një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, i cili është një rajon, jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet e Federatës Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti, pjesë e ripërtëritjes së flotës sonë ajrore. Dy helikopterët e rinj dhe dronët janë pjesë e një rritje që do të vazhdojë. Falënderoj të gjithë banorët e zonës për durimin që kanë treguar gjatë rehabilitimit të kësaj baze”, tha Rama.

Në fjalën e tij në inaugurimin e bazës së Kuçovës, Presidenti Bajram Begaj, u shpreh se “nga kjo bazë, ne dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes dhe tregojmë se NATO është e vendosur për të garantuar sigurinë e anëtarëve të saj”.

Ndërkohë, ai theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në paqen e rajonit, për të cilin u shpreh se ka një siguri të brishtë dhe këtë e dëshmoi sulmi në Banjskë.

“Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë.

Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes. 

Nga kjo bazë, ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes  dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive.

I shpreh mirënjohjen të gjithë aleatëve tanë në NATO, veçanërisht partnerit tonë strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.

Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë.

Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt.

Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku.

Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar. NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën.

Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës.

Për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite", tha Begaj.

Nga stërvitjet e NATO, te patrullimi i hapësirës ajrore, shefi i shtabit tregon misionet e bazës në Kuçovë

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Arben Kingji u shpreh se baza ajrore e Kuçovës, e vetmja e llojit të saj në Ballkan do të ketë rëndësi të veçantë në këto kohë sfidash që po kalon Aleanca, në kufirin lindor të saj.

Sipas tij, baza do të shërbejë për stërvitjet e aleancës, patrullime të hapësirës ajrore dhe do të ndihmojë në rritjen e sigurisë dhe garantimit të paqes në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

“Inaugurimi i kësaj baze si një bazë e NATO, një ngjarje e rëndësishme për ne dhe aleancës. Afrohet një vlerë e shtuar në infrastrukturën e mbrojtjes që tregon përkushtimin e aleancës në garantimin e paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe më gjerë. Kjo bazë do të afrojë infrastrukturës të avancuar dhe do të shërbejë si qendër për forcën tonë ajrore.

Në një epokë me sfida, nevoja për një infrastrukturë mbrojtëse është bërë e domosdoshme. Kjo bazë do të luaj një rol për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor i aleancës dhe në rritjen e aftësive tona të sigurisë kolektive, duke promovuar ndërveprimin ndërmjet forcave dhe mundësuar një përgjigje të fortë dhe efektive ndaj çdo sfide.

Baza ajrore e Kuçovës,  e vetmja e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor do të kontribuojë në mundësimin e planit rajonal jugor-lindor, në mbështetjen e stërvitjeve të aleancës, patrullimin e hapësirës ajrore, mbështetje logjistike si kapacitet i vendit mikpritës apo për qëllime e situata të tjera”, u shpreh mes të tjerash Kingji.

Ministri italian i Mbrojtjes: Baza e Kuçovës, simbol i angazhimit të përbashkët

I pranishëm në inaugurimin e bazës ushtarake të Kuçovës, këtë të hënë, ishte edhe ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, i cili vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, ndërsa theksoi se inaugurimi i kësaj baze është një simbol i prekshëm i angazhimit tonë të përbashkët për të përballuar sfida të të tashmes dhe të ardhmes.

“Përshëndes presidentin Begaj, kryetaren e parlamentit dhe kryeministrin Edi Rama, ministrin e Mbrojtjes, si dhe autoritetet civile ushtarake, kremtojmë sot një moment domethënës një pikë kthese për mbarë rajonin. Përurimi i kësaj baze, mbërrin në një moment ndryshimesh të shpejta e të thella. Ne ndajmë lidhje të thella historike miqësie me Shqipërinë.

Përurimi i kësaj baze nuk është vetëm një pikë mbërritje, por një pikë nisje për nisma të përbashkëta që mund të shpalosen nga mbrojtja deri në përgjigje ndaj emergjencave në fushën

Në një kohë që karakterizohet nga pasiguri dhe sfida komplekse, i sotmi është një mesazh i qartë: është baza për një simbol të prekshëm të angazhimit tonë të përbashkët për të përballuar sfida të të tashmes dhe të ardhmes.

Faleminderit të gjithëve ju dhe rroftë Shqipëria”, e mbylli fjalën e tij ministri italian i Mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë