Qeveria duket se ka reflektuar pas protestave të studentëve, pasi kryeministri Edi Rama pohon se kanë nisur të nxirren mësimet e duhura nga shuplaka e tyre.
Në një statuss në “Twitter”, Rama thotë se Partia Socialiste po reflekton seriozisht, por nuk lë ndërkohë pa ironizuar as opozitën.
“I shoh kadrinjtë të agjituar shumë që mirë u iku dhjetori pa revolucion, po kërkesat e studentëve mesa duket po adresohen dhe Partia Socialiste po reflekton seriozisht për të nxjerrë mësimet e duhura nga shuplaka e tyre për qeverinë. Eh o kadrinj sa stinë si kjo do kaloni akoma”, – shkruan kryeministri.
Ndërkohë, nga Mallakastra, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha se premtimet e Ramës janë një tufë me gënjeshtra, që e kanë gënjyer edhe PS. Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se PS drejtohet nga një sekt kriminal dhe jo nga socialistë që edhe mund të bëjnë gabime.
“Mesazhi im është shumë i qartë, sepse është shumë e thjeshtë për ti konsideruar të gjitha premtimet e Edi Ramës një tufë gënjeshtrash, të cilat jo vetëm që kanë gënjyer qytetarët, por mbi të gjitha kanë gënjyer Partinë Socialiste, – tha ajo. – Shpërdorimi që i është bërë PS-së, ka kaluar çdo kufi, sepse tashmë atë nuk do e drejtojnë socialistët me gabimet e tyre dhe defektet e tyre, por e drejton një sekt kriminal, i cili të gjithë pasurinë e Shqipërisë e ka dhënë në tre-katër duar që nuk i dimë kush janë dhe çfarë përfaqësojnë, i cili të gjithë Buxhetin e Shtetit e ka dhënë përsëri në 3-4 duar. Pra është si puna e Buxhetit të Shtetit që 46% të parave që paguajmë ne me taksat tona ai ia jep pesë vetave dhe gjithë pjesa tjetër do fryjnë sytë dhe do rrinë pa ngrënë”.
Sot Partia Socialiste zhvilloi një nga mbledhjet më të gjata të kryesisë, ku pas 5 orësh diskutime dhe debate nuk u fol për asnjë ndryshim në qeveri. Ndërsa në 28 dhjetor PS do të zhvillojë Asamblenë Kombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




