Politike

Rama: Progresi i Shqipërisë rrezikon të zhbëhet po aq shpejt sa është arritur, nëse PS ikën nga pushteti

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot fjalën e tij në Kongresin e Partisë Socialiste, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë gjatë qeverisjes së partisë së tij.

Rama, megjithatë tha se progresi i arritur gjatë viteve të fundit, mund të zhbëhet po aq shpejt, nëse PS nuk do të jetë më në pushtet. Ndaj ai kërkoi mobilizim të çdo socialisi, që siç tha ai “duhet t’i vërë gishtin kokës” dhe të mendojë çdo ditë për detyrat që i ka ngarkuar partia.

Kreu i Partisë Socialiste, Rama tha se qeveria e tij duhet të fokusohet tashmë në bërjen gati të Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Dua të përqëndrohem në disa tema kyçe të së nesërmes, për Shqipërinë, shtetin, partinë. Shqipëria nuk është aspak jashtë rrezikut të kthimit mbrapa. Ne do të fokusohemi te krijimi i garancive pa kthim e pa ndalim. Vetëm merreni me mend për një moment se çfarë ju shikojnë sytë rrotull, sikur ne të mos jemi këtu, dhe të tjerë të jenë në vendin tonë, se me çfarë shpejtësie mund të kthehet ky progres.

Për ne, asgjë nga këto që u thanë dhe u panë nga mëngjesi deri tani nuk mund të jenë mjaft. Ne do të kërkojmë më shumë infrastukturë, do të rrisim turizmin, do të bëhemi eksportues neto të energjisë, por të gjitha këto nuk do e bëjnë Shqipërinë një vend të gatshëm për BE-në, nëse nuk do të kemi drejtësi evropiane dhe një mirëqeverisje evropiane.

As do ta bëjnë këtë parti, e përkushtuar ndaj kapitalit njerëzor, disa fitore elektorale me disa kundërshtarë as të gjallë dhe as të vdekur. Nëse PS nuk e ngre më lart kërkesën ndaj vetes, përmes secilit, drejtuesve të saj në çdo nivel, atëherë nuk ka kush e bën gati Shqipërinë për të hyrë në BE. Gatishmëria e Shqipërisë për anëtarësim të plotë në familjen evropiane, rritja e kapitalit njerëzor janë sot e vite të tjera, pazgjidhshmërisht të lidhura me këtë parti.

Çdokush e ka një detyrë nga kjo parti, t’i vërë gishtin mirë kokës çdo ditë dhe ta kujtoj mirë këtë fat absolut, nëse PS ndalon, ulet dhe kënaqet dhe nuk synon më lart e më lart, garancitë mungojnë dhe progresi bie në diskutim serioz.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë