Nga Gazeta ‘Si’- Mes reshjeve të shiut kryeministri Edi Rama priti një nga një liderët europianë në Sheshin Skënderbej.
Nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të BE-së, presidentja e KE Ursula von der Leyen, shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, shefi i NATO-s, Mark Rutte, presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa, e deri tek udhëheqësit e Spanjës, Pedro Sánchez, kryeministri hungarez Viktor Orban, ai britanik Keir Starmer, i cili një ditë më parë u prit nga Rama edhe në një vizitë zyrtare, ata parakaluan në tapetin e kuq.


Nga sheshi, ku u organizuan edhe aktivitete me këngë dhe valle popullore pati edhe deklarata nga disa prej liderëve. Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa.




Nuk mungoi as presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe as liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mes tyre presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.


Momenti i veçantë mes Ramës dhe Girogia Melonit nuk u shpëtoi kamerave, ku sërish kreu i qeverisë iu ul në gjunjë ‘motrës’ italiane, siç e cilëson ai. Momentin, edhe Meloni zgjodhi ta kalojë me batuta:
“E bën që të jetë i gjatë sa unë”, tha ajo.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, e cila ishte ndër të parat që mbërriti, tha se Shqipëria ka bërë progres të shkëlqyer me reformat dhe Unioni është serioz në qëllimin për t’u zgjeruar në kontinent e kryesisht në Ballkan.
“Po mendoj që Shqipëria po bën një progres të shkëlqyer për reformat, ne duam reformat sundimin e ligjit, ato që janë të nevojshme dhe kështu dhe për ne edhe nga ajo anë, nga ana e Europës duhen bërë hapat e duhur, ka një moment politik që të gjithë duan që procesi i zgjerimit të ndodhë. Kjo nuk ka ndodhur më parë”,- tha Kallas për gazetarët në Tiranë.
E pyetur për dialogun Kosovë-Serbi, shefja e diplomacisë së Unionit tha se pret normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Pak më parë kemi emëruar përfaqësuesin e ri të posaçëm për dialogun dhe presim normalizimin e marrëdhënieve”,- tha Kallas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.