Kryeministri Edi Rama tha se përgjimet e publikuara nga “Bild” po përdoren për shantazh dhe kjo rrezikon që të devijojë të vërtetën e atyre përgjimeve, ndërsa për Vangjush Dakon tha se ai nuk është më kandidat i PS-së për Durrësin dhe si njeri i lirë duhet të përgjijget deri në fund për të vërtetën.
“Për sa i përket aspektit politik, këtu ka diçka që s’e ka thënë askush, por që është aspekti më problematik, unë besoj se kjo është një dosje që është mbajtur në sirtar për shantazh politik. Kjo është një dosje që lidhet me atë që unë e kam thënë “tërmeti që do të krijojë Reforma në Drejtësi në këtë proces”, tha Rama në emisionin Real Story.
“Çështja ka disa aspekte, së pari e kam thënë, unë kam nerveri nga përgjimet dhe përdorimi i përgjimeve. Janë shumë të rrezikshme në aspektin e devijimit nga e vërteta. Thënë kjo ka një aspekt moral, jemi në kushtet kur kryetari i Bashkisë së Durrësit nuk është më kandidat i bashkisë, por është një njeri i lirë, që duhet të përgjigjet deri në fund lidhur me të vërtetën. Përgjimet nuk janë prova, por indicie që duhet hetuar”, vijoi ai.
Rama komentoi edhe urdhrin e prokurorëve që kërkonte ndalimin e publikimit të materialeve që lidhen me dosjen “339”. Rama e cilësoi një urdhër absurd, megjithëse më herë vetë prokurorët në fjalë thanë se urdhri i tyre nuk i drejtohej medias, por personave që kanë akses në dosje.
“S’më është dhënë mundësia ta them më parë, është një urdhër absurd ai i prokurorisë për të ndaluar mediat për të publikuar këtë. Mediat për atë punë janë të nxjerrin çdo gjë, nuk ka asnjë kufizim për këtë. Mediat janë lajmsi që në këtë rast nuk ka asnjë faj”, u shpreh Kryeministri.
Megjithatë, Rama e cilësoi katastrofë publikimin dosjes. “Shikoj që ka një shëmti kur dëgjon biseda të caktuara, por se sa këto janë muhabete të materializuara në fakte, apo se sa këto janë muhabete njerëzisht që kontrollojnë planetin në telefon. Thënë kjo ka një aspekt ligjor, këtu kemi të bëjmë me një katastrofë nga pikëpamja e gjithë këtij procesi. Është përgjegjësi e prokurorëve të hetojnë, të ruajnë sekretin hetimor dhe të përputhim gjithçka. Zanafilla është te Policia e Shtetit, që ka filluar në ndjekjen e një bërthame”, vijoi ai.
Rama pranoi se publikimi i përgjimeve nga media gjermane dëmton ambicien e Shqipërisë për hapjen e negociatave.
“Një material i tillë nuk është përdorur as për të hetuar, as për të kapur në flagrancë, por është përdorur për t’u mbajtur dhe për t’u nxjerrë nga politika për qëllime politike. Këto copa materiali dhe merren dhe nxirren që të ekspozohen në një gazetë me shumë tirazh shumë të gjatë në Gjermani, që synon dy gjëra: për të sugjestionuar shqiptarët këtu ngaqë e nxori Gjermania, dhe nga ana tjetër kjo ekspozohet në momentin kur ne presim nga gjermania të marrim një dritë jeshile për negociatat. Ky është ushqim që helmon duke u dhënë argumenta atyre që duan të kapen”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




