Politike

Rama për Amnistinë: Nuk jam në dijeni të agjendës. (Flet edhe për protestën, ndryshimet në parti dhe McGonigal)

Nga Gazeta Si- Ka përfunduar pas 1 ore e gjysëm Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste.

Në një konferencë për shtyp, Kryeministri Edi Rama është pyetur nga Amnistia deri tek çështja e McGonigal.

I pyetur nëse do të kalojë apo jo për votim ligji për amnistinë, Rama tha se nuk është në dijeni të agjendës për ditën e nesërme. Rama u shpreh se sa kohë nuk do të ketë një situatë normale në Kuvend, duke iu referuar kaosit që deputetët e opozitës shkaktojë tashmë prej disa kohësh, ligjet do të kalojnë në “kohë të shkurtër”.

“Nuk e di si është agjenda nesër. Është bërë një diskutim për një keqkuptim që është adresuar sot nga ministri i drejtësisë. Ligjet kalojnë në kohë të shkurtër se nuk ka në sallë kushte për të kaluar në një kohë të gjatë. Sa kohë s’ka kushte normale, ashtu do votohen”, tha Rama.

Ai gjithashtu u pyet edhe nëse do të ketë ndryshime të drejtuesve të qarqeve politike, duke thënë se ndryshimet janë pjesë e jetës së Partisë Socialiste, gjë që sipas tij e bënë këtë forcë politike fituese.

Rama foli edhe për protestën e e Rithemelimit duke thënë se nuk e ndjek opozitën.

“Nuk kam informacion për organizim të opozitës, nuk e ndjek opozitën. Ajo nuk është opozita, ata janë konglomerate, grupe”, tha Rama.

"Ajo që po thoja është që ne nuk kemi një problem sot për sot as me kritikat as me vetëkritikën sepse në asamblenë e përgjithshme që u zhvillua disa ditë më parë ka pasur plot kritika dhe vetëkritika, sot ishte dita për të reflektuar. Reflektimi ka qenë pozitiv nga të gjithë. Ka lojtarë që hyjnë menjëherë në loja ka nga ata që duan nxemje. E rëndësishme fakti që e gjithë skuadra është e motivuar."

Kryeministri Edi Rama tha se Partia Socialiste është në fazën e angazhimit për anëtarësime të reja dhe në barazimin e kuotave gjinore në disa prej zonave rurale.

Kryeministri Rama është pyetur pas mbledhjes edhe lidhur me rastin e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal, duke thënë se në prononcimet e tij ai i është referuar “pikë për pikë çfarë është thënë në dokumentet zyrtare në SHBA”.

Rama theksoi se nëse do të kthehej pas në kohë do e takonte sërish McGonigal si një zyrtar nga një vend aleat, siç është SHBA.

“Do e takoja sa herë të kthehesha prapa, sepse po të më kërkohen takime nga zyrtarë të vendeve aleate, do i mirëpres gjithmonë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë