Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ndëshkuese edhe për arkitektët që i bashkohen ndërtuesve në shkeljet e tyre.
Duke ripërmendur se do të krijohet një “Listë e Zezë” me ndërtuesit që kanë abuzuar, kreu i qeverisë tha se dhe arkitektët do të vendosen përballë përgjegjësisë ligjore në rast se ndërtimi ka devijuar nga projekti për të cilin është dhëna leja.
Rama e cilësoi një ndër problemet më të mëdha në vend, theksuar se ndërtuesve u jepet leja dhe më pas ndërtimi shkon në drejtim të paditur.
“Ky është një problem që e kemi sot të shtruar në tryezë, si do të arrijmë që projektet ti realizojmë besnikërisht. Bëhet ajo punë bashkë me investitorët dhe ndërtuesit, bëhet ajo punë për ti filtruar dhe për t’i kaluar në procesin e aprovimit, i jepet leja dhe pastaj gjëja shkon në një drejtim të paditur. Ndryshojnë edhe volume, këtu është detyra jonë ta adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore, që do përfshijnë arkitektin si personin garant, që mban përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit. Kjo nuk është çështje masash ligjore, por vetëdije nga ana e investuesve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg të ri financiar që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë”, tha Rama.
Ai shtoi se ndërtuesit që kanë abuzuar nuk do të mund të marrin më leje ndërtimi.
“Karrota nga një ana, shkopi nga ana tjetër, në të kundërt e kemi të pamundur, mund të humbasim shans historik dhe s’do afrohet njeri për të financuar. Këto projekte të mëdha s’mund të realizojmë siç duhet duke u mbështetur tek shitja në gropë, tek kleringu dhe blerësit e rastit brenda vendit. Listë të zezë për ndërtuesit që nuk respektojnë rregullat, pamundësi për të marrë leje”, tha Rama.
Në takim, kreu i qeverisë së bashku me një grup të rinjsh, u prezantuan ndërtuesve edhe një formë të re financimi, që sipas Ramës shmang nevojën për shitjet në gropë.
“Këto projekte të mëdha s’mund të realizojmë siç duhet duke u mbështetur tek shitja në gropë, tek kleringu dhe blerësit e rastit brenda vendit. janë projektet të financuara nga institucione dhe nga fonde investimesh që nuk janë banka drejtpërdrejtë dhe që përfaqësojnë investitorë të interesuar, që nga investitorë të mëdhenj, deri te investitorë fare të vegjël, që janë investitorë që duan të blejnë një apartament apo duan të blejnë një shtëpi në plazh”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



