Lajme

Rama në Arabinë Saudite, nënshkruhen disa marrëveshje (Video)

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Arabinë Saudite në një vizitë zyrtare, ku në agjendë ka disa takime të rëndësishme. Ditën e sotme, në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Rama u prit nga mbreti Salman ibn Abdulaziz Al Saudi.

Kreu i qeverisë bën të ditur se pas takimit u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi mes të dy vendeve.

“Në pritjen shumë miqësore të mbretit Salman ibn Abdulaziz Al Saudi, ku pas drekës zyrtare u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi”, shprehet Rama.

Në kuadër të kësaj vizite në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Kreu i Ekzekutivit zhvilloi gjithashtu sot një takim me Shefin e Fondit Saudit të Zhvillimit, ku në fokus të takimit ishte programi i bashkëpunimit mes dy vendeve që konsiston në ekonomi, turizëm, arsim dhe trashëgimi kulturore.

Më herët, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, pjesë e delegacionit shqiptar, zhvilloi një takim shumë të rëndësishëm me Ministrin e Financave, Mohammed bin Abdullah Al-Jadaan, ku u shqyrtuan aspektet e bashkëpunimit financiar dhe ekonomik mes dy vendeve, dhe diskutuan një numër çështjesh me interes të përbashkët dhe mjetet për t’i forcuar ato.

Gjatë këtij takimi u arrit nënshkrimi i Marrëveshjes për eleminimin e taksimit të dyfishtë, çka nënkupton më shumë bashkëpunim mes komunitetit të biznesit dhe nxitjes së investimeve të huaja. Për të krijuar një klimë të favorshme për biznesin e sidomos atë të huaj, qeveria shqiptare zbaton Marrëveshjet e eleminimit të taksimit të dyfishtë me 41 vende të ndryshme.

Marrëveshja e heqjes së taksimit të dyfishtë edhe me Arabinë Saudite pritet të rrisë bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme të ekonomisë, si dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare. Ministrja Denaj është pjesë e delegacionit qeveritar që po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në Arabinë Saudite.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/377257809758164/

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë