Teksa presidenti Ilir Meta është shprehur se e pret në takim deri në orën 13:00, kreu i qeverisë vijon me takimet me banorët e njësive administrative në kryeqytet. Duke bashkëbiseduar dhe konsumuar një kafe në njësinë administrative nr. 4 në Tiranë, Rama është fokusuar te kriza politike që ka kapluar vendin që pas daljes në rrugë të opozitës.
Pikë kyce në këtë bisedë ka qenë edhe qëndrimi i presidentit Ilir Meta, që kreu i qeverisë e ka konsideruar si qëndrim të njëanshëm.
Ai tha se Meta ka marrë drejtimin e opozitës, duke qenë se kjo e fundit tashmë ka dështuar.
“Presidenti ka marrë drejtimin e opozitës, dështon Luli, ndërhyn Iliri. Është fatkeqësi e madhe për institucionin, por nuk kemi ca bëjmë”, është shprehur Rama.
Kryeministri Rama iu përgjigj edhe interesimit të qytetarëve se çdo ndodhte nëse presidenti dekreton një datë tjetër zgjedhjesh apo vendos të shpërndajë Parlamentin.
“Ilir Meta i hodhi benzinë zjarrit me atë marrëzinë e çfirmosjes së firmës së vet. Ju dha motiv këtyre të mbrohen duke thënë do respektojmë dekretin. Ajo histori e ka marrë përgjigjen edhe nga Kolegji Zgjedhor. Askush se vë në diskutim vendimin e Kolegjit se ai vulos zgjedhjet. Sa për datë të re, ai mund të bëjë ç’të dojë, po do jetë nul. Kot e ka, këtu ka institucione. Presidenti s’ka asnjë të drejtë në asnjë rresht të Kushtetutës kur Kushtetutën e lexon në filxhan”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Ndërsa sa i përket shpërndarjes së parlamentit nga ana e presidentit, Rama ironizoi duke thënë: “Ai mund t’i shpallë luftë edhe Amerikës dhe BE…”.
Ndërkohë, mbrëmë ftesën e presidentit Meta Rama e ka refuzuar me justifikimin se është i zënë me fushatën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




