Kryeministri mbrojti marrëveshjen për dhënien me koncesion të menaxhimit të Parkut të Butrintit dhe sulmoi opozitën se nuk ‘po e kuptonte’ këtë marrëveshje.
“Parku do të bëhet siç themi ne! Ju flisni sa të doni! Ne dimë se çfarë bëjmë! Ju nuk dini se çfarë flisni! Partneri ynë është fondacioni shqiptaro-amerikan. Ky fondacion nuk jep kredi, nuk kërkon asgjë nga shteti shqiptar veç partneritetit. Ata investojnë dhe ne investojmë, së bashku siç kemi bërë në shumë projekte. Në Butrint po kalohet në modelin e administrimin e parqeve kombëtare në botën e zhvilluar. Qëllimi është që Butrinti të jetë Park Kombëtar që të vazhdojë të rrisë fuqinë atraktive, të vijojë të zhvillohet në sensin e gërmimeve arkeologjike dhe ne jemi krenarë për këtë marrëveshje dhe shumë falënderues fondacionit që ka marrë përsipër këtë investim, të kërkuar prej nesh”, tha Rama.
LEXO EDHE:
- Debati për Butrintin në Komision, Zhupa i heq mikrofonin ministres Margariti
- Menaxhimi i Butrintit nga një fondacion dhe shumë pikëpyetje nga ekspertët
- Miratohet marrëveshja për menaxhimin e Parkut të Butrintit! Margariti: Nuk kalon në pronësi të fondacioneve
- PD ngre dyshimet për menaxherët realë të Butrintit: Po shkelet ligji! Nuk është AADF
Por, nga opozita, Edmond Spaho tha se ideja për të marrë Butrintin në menaxhim nuk është e re. Ajo daton që nga viti 1993.
“E dini ju kush është Fondacioni shqiptaro-amerikan thotë ?! Po e dimë shumë mirë. Është krijuar në vitin 1993. Kam qenë një prej përfaqësuesve shqiptarë në atë fondacion. Që atëherë donin ta merrnin Butrintin dhe nuk lanë asnjë gur pa lëvizur dhe BERZH na e tha që atëherë që jo, sepse nuk është skemë për ju, por për të bërë lekë”, deklaroi Spaho.
Kryeministri iu kundërpërgjigj duke pretenduar se Spaho po e ngatërronte.
“Në vitin 1993 nuk është themeluar fondacioni, por fondi. Janë 2 gjëra të ndryshme. Pra ka ndryshuar trajtë. Është një fondacion jo fitimprurës i financuar nga qeveria e SHBA-ve. Ju vini këtu dhe i referoheni si të ishte Ministria juaj e Kulturës që e bëri disko kalanë e Lezhës. Sot shteti është në gjykata të lartë, në proces akoma, për ato diskot dhe mejhanet që ju latë në kalanë e Lezhës. Ju jeni llumi. Dini vetëm të shani, të akuzoni”, tha Rama.
Ndërkohë, duke lexuar faqen e fundit të aktit të themelimit të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, deputetja e PD-së, Ina Zhupa tha se aty po i hapet rruga ndërtimit të bareve dhe restoranteve për qëllime fitimi. Zhupa akuzoi se po mbahet i fshehtë plani i biznesit të fondacionit në këtë park.
“A e dini që në Butrint do të ndërtohen restorante, bare, teatro dhe këtë mund t’jua faktoj me dokumente që kam arritur t’i siguroj. Kanë menduar ta ndërtojë privati. Mund të vendosë edhe bileta të tjera për aktivitete të tjera brenda Butrintit. Pra minierë ari për të kaluar të paktën 50 milionë euro në arkën e një fondacioni privat”, tha Zhupa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.