Politike

Rama mbledh kryebashkiakët, tre shqetësimet e Kryeministrit. Sulmon sërish Lelin e Vlorës: Fle gjumë

Edi Rama mblodhi kryetarët socialistë të bashkive, ku tre ishin shqetësimet e ngritura. I pari lidhej me mjedisin dhe mbetjet, i dyti me borxhet e akumuluara dhe i treti marrëdhënia me qytetarin.

Të trija këto shqetësime janë ngritur edhe në dy takimet që Rama organizoi me kryebashkiakët vjeshtën e vitit të kaluar.

“Pisllëku nuk duhet të ketë vend në bashkitë tona. Sot nëse kemi sezonin më të pastër në të gjithë vijën bregdetare, vjen si rezultat i një pune të përbashkët, por është edhe një mësim i madh për të kuptuar se sa shumë gjëra mund të bëhen duke shtuar kuajt fuqi të makinës tonë të qeverisë, jo në anën financiare për në kuptim të përkushtimit”, tha Kryeministri.

Rama tha se asnjë hotel nuk do të hapet sezonin e ardhshëm nëse nuk zgjidh më parë problemin me ujërat e zeza. “Nuk mund të tolerohet që ujërat e zeza të ndotin ujërat shqiptare”, u shpreh ai.

Rama nuk la pa sulmuar edhe në këtë takim Kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli.

“Është krenari që PS drejton Lezhën po të shikojmë nivelin e higjenës në plazh dhe nivelin e kënaqësisë që kanë ata që pushojnë në atë vijë bregdetare për shkak të punës së bashkisë. Të tillë shembuj ne kemi kudo në gjithë Shqipërinë deri në bashki të vogla të cilat kanë mundësi të kufizuara por për shkak të drejtimit dhe punës sistematike janë shembuj pozitivë që nga shembulli i Cërrikut që është një bashki me halle të mëdha të trashëguara, që është një bashki që për shkak të pozicionit gjeografik ka qenë si e lënë pas dore. Lidershipi ka bërë diferencë.

Kemi bashkinë e Belshit që vazhdon të jetë një bashki shembullore. Ngopja me pushtetin është e atyre që harrojnë që kush i ka çuar atje dhe pse i ka çuar atje. Nuk është sa herë njerëzit i kanë besuar. Kjo ndodh në Belsh. Flas për dy bashki në Elbasan të cilat nuk janë bashki që kanë pasur ndonjë avantazh. Kanë qenë të disavatazhuara. Sepse nivelin e pagesës së taksave e kanë shumë modest. Kemi bashki si Vlora që ka pasur një vëmendje të veçantë nga qeveria por që ka një kryetar bashkie që fle gjumë. Vlora me gjithë atë potencial që ka”, u shpreh ai.

Për borxhet, Rama tha se ka pasur përmirësime të bilanceve nga bashkitë, por se këto përmirësime nuk kanë qenë uniforme.

“Borxhet thellohen në disa bashki me idenë që s’ka problem se këto janë të shtetit, për ujësjellësa, drita. Edhe në këtë proces kemi bërë përmirësime, por na duhen përmirësimet më uniforme. S’mund të kemi ne bashki me performancë të keqe”, u shpreh Kryeministri.

Problemi i fundit i ngritur prej tij u adresohej më shumë bashkive të vogla.

“Nga A-ja te ZH-ja zyrtari i bashkisë, kryetari i bashkisë dhe të gjithë duhet t’i hapin derën qytetarit, t’i ulen në gjunjë dhe ta dëgjojnë e ta ndihmojnë. Dakord në bashkitë e mëdha si Tirana e Durrësi, ku kryetari i Bashkisë s’mund t’i dijë të gjitha gjërat, por në bashkitë e vogla, kryetari i bashkisë i di të gjitha problemet”, u shpreh Rama.

Në këtë pjesë, Kryeministri kërkoi nga kryebashkiakët që të denoncojnë qoftë edhe punonjësit e pushtetit qendror që mund të abuzojnë me detyrën duke shfrytëzuar e abuzuar me mbrojtjen partiake.

“Loja e postave me pensionet dhe pensionistët s’mund të kalojë në heshtje. Për këtë është duke hetuar njësia antikorrupsion e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe ju duhet të jepni kontributin tuaj. Pse, nuk e di kryetari i bashkisë se çfarë ndodh me postat? Sigurisht që e di!”, tha Kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë