Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti përfundimin e numërimit të votave brenda vendit, për të bërë reagimin e parë pas fitores së thellë në zgjedhjet e 11 majit, ku PS deri më tani ka siguruar 83 mandate në Kuvend.
Në një postim në rrjetet sociale Rama falënderon qytetarët për besimin dhe paralajmëron fjalimin e fitores që do të mbajë në orën 7 të pasdites në sheshin Skënderbej.
“Mirëmëngjes dhe duke ju rrëfyer se s’po i gjej dot fjalët për të shqiptuar sonte në 7 në Sheshin Skënderbej, ju falënderoj përgjunjësisht për besimin e patregueshëm e ju uroj një ditë të mbarë!”, shkruan Rama.
Aktualisht po numërohet vota e diasporës, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme KQZ njoftoi mbylljen e numërimit të kutive të votimit në vend.
PS siguroi mandatin e katërt me mbi 52% të votave dhe duke siguruar 83 mandate, ndërsa PD pësoi rënie në krahasim me zgjedhjet e kaluara, duke marrë 34% të votave, ose ndryshe 50 mandate, 9 më pak se në vitin 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.