Politike

Rama: ERE rriti çmimin e energjisë, shteti do të mbulojë diferencën

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama tregoi nga Bulqiza se çmimi i ri i fashës së energjisë nga ERE sot është rritur në 44 lekë për kilovat dhe jo 42 siç ishte vendosur më herët, miratuar po nga ERE.

“Ne kemi vendosur një mburojë financiare që gjithë diferencën e paguan shteti. Çmimi rritet, nuk ulet. Pashë sot që ERE kishte nxjerrë një çmim tjetër, 44 nga 42 lekë, prapë është rritur i miksuar. Megjithatë ne do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë të bindur që kjo është gjëja e duhur, qoftë për familjarët qoftë për çdo biznes të vogël. Sepse kështu ne mbajmë inflacionin ulur pavarësisht se çmimet janë rritur dhe këtë gjë ne nuk e ndalojmë, por mund ta zbusim. Po të shikoni çmimet në rajon të produkteve kryesore janë dyfishi i rritjes së produkteve tona është në radhë të parë energjia, se po t’ja kishim rritur faturën dyqaneve ata do ta kalojnë barrën nga ju që blini produkte bazë”,- tregoi Rama.

Kryeministri nuk harroi të ripërmendte dhe gjobat për bizneset e mëdha që do të fuqizohen në paketën e re fiskale 2023, për t’i “formalizuar” ato, si edhe taksimin e prodhuesve të mëdhej të energjisë.

“Është e vërtetë, ne do ti rrisim në mënyrë të ndjeshme gjobat, por jo për biznesin e vogël. Biznesin e vogël ne e mbrojmë me çmimin e energjisë, nuk i marrim taksa. Thjesht i themi punëso paguaj sigurimet dhe kaq. Ne nuk do t’i rrisim asnjë gjobë, por ama biznesit të madh po. Mos u sill në mënyrë të kundërligjshme që të mos marrësh gjobë. Prodhuesit e shesin energjinë shumë më lart nga se e shisnin përpara krizës, sepse u ra fati. Por ata s’kanë bërë asgjë për ta merituar këtë fat. Atyr do t’u vëmë një taksë të lartë. ”,- u shpreh kreu i qeverisë.

Mëngjesin e sotëm, (28 tetor), Enti Rregullator i Energjisë miratoi fashën 800 Kwh për muajt nëntor-dhjetor, por la të hapur mundësinë për rishikim nëse FSHU e kërkon.  Fillimisht çmimi i miratuar ishte 42 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë