Politike

Rama konfirmon bisedën: Shantazhe, prokuroria të hetojë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë për për audiopërgjimet e publikuara nga prestigjiozja gjermane “Bild”, duke mbajtur dy qëndrime pasi daljes në media të bisedës së tij me drejtorin e ministrisë së Brendshme, Arben Keshi.

“Përgjimet e pahetuara të shërbëtorit të Saliut tregojnë përsëri se u bënë për shantazh,jo për drejtësi! Dhe u mbajtën tek partia për këtë ditë të zezë, kur duhet sulmuar Shqipëria me “zbulime gjermane”, për të bllokuar negociatat dhe ndaluar drejtësinë që vjen me kapitujt 23/24. Nxis prokurorinë të vijojë intensivisht hetimet për të nxjerrë deri në fund ku mbarojnë llafet dhe ku dalin prova fajësie para ligjit,nëse ka të tilla. Por sidoqoftë,kjo ndërmarrje kriminale për të helmuar dynjanë,do ta marrë përgjigjen e merituar në 30 qershor e më tej akoma!”, shkruajti menjëherë kryeministri në rrjetet sociale.

Pas një ore, Rama do të reagonte për herë të dytë mbi përgjimin e bisedës ku ai flet vetë me Arben Keshin, për cilin Bild e tregon se është një punonjës në ministrinë e Brendshme.

“Çfarë mjerimi dhe çfarë përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e njerëzve dhe nxirjen e Shqipërisë!Çfarë gënjeshtre:AK s’ka punuar në polici asokohe dhe ka qenë denbabaden kandidat komune në Maqellarë.E konfirmoj këtë bisedë dhe do e bëja prapë njësoj!Kush ka veshë le të dëgjojë”, shkruan Rama në Twitter.

Më tej kryeministri thekson se “ky është i gjithi një skandal i turpshëm, i gatuar nga shërbëtori famëkeq i Saliut në prokurori, plus një birbo tjetër që doli cullak nga Vettingu, të cilët jo vetëm kanë shkelur ligjin për sekretin hetimor, duke i përdorur përgjimet për shantazhe e lojë politike, po s’kanë hetuar asgjë!”.

https://twitter.com/ediramaal/status/1140634217782632449

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë