Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim me bizneset dhe sipërmarrësit në portin e Durrësit, kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria do të ndërpresë koncesionarin e skanimit në port.
Rama tha se kontrata do të vazhdojë deri në 2030-n dhe më pas kontrollet do të bëhen në bazë risku.
“Paguhet privati për këtë veprimtari, për atë që do menaxhojë shteti dhe kjo situatë do zgjasë deri në 2030. Në e kemi nisur dhe do ta bëjmë, në bashkëpunim edhe me ju, me kontriobutet tuaja edhe si taksapagues, do operojmë në bazë kontrolli në bazë risku. Psh., nga 100 dalje nga porti, do bëhet skanimi për 10 prej tyre, si fillim është e pranueshme dhe më tej do ulet më shumë, me numër më të vogël kontrollesh, të befasishme, mbi bazë risku. Se përtej kostos marramendëse që ka koncesioni edhe për operatorët, ka një rezultat në uljen e kontrabandës. I thashë edhe drejtorit, kjo është një gjë për t’u bërë se s’kemi ça flasim, duhet bërë dhe do bëhet”, u shpreh kryeministri.
Ai tha se koncesioni qe një vendim i gabuar dhe i ka kushtuar shumë shqiptarëve dhe buxhetit.
“Ndryshimet këtu janë të nevojshme dhe do bëhen, po punohet edhe me Ministrinë për t’ju ndihmuar. Ky është koncesion atipik, më i keqi i mundshmi që e kemi trashëguam, por që do na krijonte kosto të lartë në arbitrazh, por jemi munduar të mënaxhojmë, ta vëmë në shfrytëzim dhe të lehtësojmë për ju, nga 45 euro ta ulim në 22 euro. Por në fund të fundit mbetet një koncesion i gabuar tërësisht, sepse skanimi i kamionëve shteti i bën për punën e vetë, për sigurinë, krimin, kontrabandën, por jo për ju”, tha kryeministri ndër të tjera.
Kryeministri shtoi edhe se do ngrihet një shkollë profesionale për shoferët dhe kërkoi që bizneset dhe autoriteti portual të bëjnë propozime konkrete për ndryshimet që duan.
Kreu i qeverisë tha në fund se projekti më i madh i qeverisë tani është porti i ri i Durrësit, që pritet të jete ultramodern, si asnjë tjetër në Europë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.