Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama deklaroi se gjatë vitit të shkuar është vënë re një rënie e ndjeshme e numrit të shqiptarëve që kërkojnë të shkojnë në Britaninë e Madhe.
Në një konferencë të përbashkët me homologun britanik, Keir Starmer, Rama deklaroi se të dy vendet kanë bërë progres në parandalimin e emigracionit të paligjshëm.
Megjithatë, Rama theksoi një problem serioz: shumë shqiptarë që ndodhen tashmë në Britani kanë hyrë në vend duke përdorur dokumente të Kosovës, duke pretenduar se janë viktima të luftës.
Kjo ka krijuar situata të ndërlikuara, pasi ata jetojnë me dy identitete – një në Shqipëri dhe një tjetër në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas tij, ndonëse këta qytetarë përballen me sfida ligjore dhe administrative, zgjidhja është e mundshme, duke qenë se shumë prej tyre tashmë janë të integruar dhe jetojnë në mënyrë të dinjitetshme si shtetas britanikë.
“Në angazhimin kundër rrjeteve kriminale dhe emigracionit të paligjshëm kemi arsye për të qenë krenarë për punë e bërë. Shifrat janë mbresëlënëse dhe përfitoj nga rasti i pranisë thuaj për të theksuar se referimi në shifrat e këtij bashkëpunimi të suksesshëm është gjëja e duhur për publikun britanik. Jo kultivimi i miteve se shqiptarët janë një problem për britanikët”, tha Rama.
Ai komentoi edhe aludimet nga mediat britanike, sipas të cilave, 1 në 50 shqiptarë në Britani janë në burg, gjë të cilën e konsideroi një gënjeshtër.
“Në vitin 2024 numri i shqiptarëve që kanë hyrë është disa qindra, ndërkohë kur ne shtymë përpara task-forcën pati 12 mijë. Pra, ky miti se shqiptarët janë problem për Britaninë nuk është i vërtetë, edhe pse kjo gënjeshtër ka marrë statusin e së vërtetës. Nga ana tjetër dua të theksoj një shifër, se kur thuhet 1 në 50 shqiptarë janë në burg, ndërkohë është 10 fish më e ulët.”-tha Rama.
Ndërkohë, Starmer pasi u ndal edhe te çështja e emigracionit, ku theksoi se ka një ulje drastike të gomoneve me shqiptarë drejt Britanisë, u ndal edhe te planet për të fuqizuar sigurinë kombëtare.
Ai tha se të dy vendet do punojnë për prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake.
“Do të punojmë së bashku për prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake sepse dëshirojmë të fuqizojmë sigurinë kombëtarë, novacionin dhe rritjen ekonomike të vendeve.
Ky është moment që shtetet evropiane duhet të rrinë së bashku, të bëjmë qendresë ndaj agresionit rus. Do të vizitoj trupat shqiptare dhe të MB që po punojnë së bashku për të mbrojtur lirinë tonë dhe ajo që po bëjmë për Ukrainën është dëshmi e qartë e asaj që ne po punojmë në formë kaq efikase.
Ju jam shumë mirënjohës juve dhe Shqipërisë për këtë partneritet që keni treguar në këtë betejë tonën duke treguar lidership në të gjithë botën”, tha Starmer.
Gjithashtu ai shtoi se bisedoi me kryeministrin Rama për forcimin e punës dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“Ne diskutuam për efektivitetin e atyre bashkëpunimeve që kemi bërë për këto vite që kanë çuar në uljen e shifrave nga 12 mijë në një ulje 94%. Kjo punë mund të shtrihet dhe në vendet e tjera të rajonit. Diskutuam si të bashkëpunojmë dhe për aktivitetet e tjera kriminale për të ndarë informacione inteligjence. Ky model ka qenë efektiv dhe unë dhe Rama mendojmë njësoj që mos vijmë rreth problemit, por të përveshim mëngët dhe ta zgjidhim atë”, tha Starmer.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.