Politike

Rama ironizon opozitën në Durrës. Dako: Dua të punoj ende

Në kuadër të takimeve ‘Bashkia që Duam’ kryeministri Edi Rama është ndalur në qytetin e Durrësit. Gjatë fjalës së tij Rama ka përcjellë me ironi protestat e opozitës, duke theksuar se ata janë “protestues profesionistë”, ndërsa shtoi se protestuesit e opozitës janë punonjës të bashkive.

“Vijnë kur ka parlament, një herë në muaj në Bulevard. Mua më vjen mirë që do vijnë në Durrës, sepse do mund të shohin, jo vetëm të dëgjojnë. Do kenë rastin të shohin Durrësin siç nuk e kanë parë dhe ndërkohë që do vihet nesër gramafoni për Dakon, ata do të shikojnë punët e bëra nga Dako dhe bashkia e Durrësitm – u shpreh Rama. – Kështu do bëjnë edhe krahasimin mes Durrësit për të cilin kam dëgjuar lloj lloj çudirash dhe qytetet nga vijnë, krahasimit të këtij sheshi dhe shesheve të qyteteve nga vijnë. Apo me siguri do të shkojnë tek Veliera për të parë se çfarë krimi i madh bëhet dhe ndërkohë që diçka e re dhe çdo ditë e më bindëse është duke marrë formë aty”.

Duke qëndruar sërish te protesta e opozitës, kreu i qeverisë tregon një bisedë që ka bërë me disa gazetarë italianë.

“Sot isha me disa gazetarë italianë që kishin ardhur për turizmin. Po flisja për çfarë ofron Shqipëria dhe në fund i thashë, që ofrojmë edhe protesta. Ata hapën sytë, çfarë po thotë. Po i thashë, kujt i qëllojnë pushimet me të enjten në mes mund të vijnë tek Parlamenti mund të vijnë dhe të shohin si zhvillohet një protestë. Kujt i qëllon në një datë të caktuar të një muaji mund të shohë bulevardin me protestues. Por i thashë janë protesta që zhvillohen si një furtunë në gotë dhe jo siç i keni parë ju në televizione apo fotot e artikujve që shoqërojnë protestat që ndodhin këtu. Janë protestues profesionistë, punonjës bashkie që nuk u shërbejnë qytetarëve në rast se agjencia turistike i nis për protestë”, tha Rama.

Batutat për Bashën dhe Kryemadhin

Rama nuk i ka kursyer sulmet dhe ironinë edhe ndaj kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi. “Monika i thotë Zotit: Leji punët e tjera hajde shpëto shqiptarët nga ata që blejnë vota. Kjo e shkreta që ngelën duke ja blerë, kjo mazalla se ka blerë një votë. Kjo të blejë një votë? Joo, mo, kjo blen çizme. Fillon bërtet: Zoti do ta ndëshkojë Ramën! Se ku komunikon kjo me zotin unë nuk e di, duhet të kenë karta që s’janë numër fiks, që e merr e hedh, – shtoi kryeministri. – Të paktën na bëjnë për të qeshur. Më në fund na bëjnë për të qeshur. Në parlament sikur shkoj në mundje, nga do më dalin ku do më sulmojnë me çfarë do më gjuajnë”, – tha Rama me ironi.

Rama i vijoi batutat edhe për djegien e mandateve të opozitës, duke lënë të kuptojë se Basha e mori këtë vendim për të maarrë qeverinë.

“Mund të mi japin pa zgjedhje se me zgjedhje e di ai. Me atë fallxhoren në krah. I ka thënë kam parë filxhan mbrëmë. I tha harroje, do digjesh. Saliu nga mbrapa, shkrumb mandatet. Ne nuk na kanë dhenë detyrën që të sjellim Lulin në pushtet. Besoj që asnjë nga ne këtu duhet të vrasë mendjen se si të vij Luli në pushtet. Madje, shyqyr që iku Saliu nga Parlamenti një herë. Ishin brenda në Parlament, tani vijnë rrinë te dera.

Dako: Mandat i nëntokës, duam të punojmë akoma

Gjatë takimit të sotëm në Durrës, në kuadër të projektit “Bashkia që Duam” kryeministri i vendit Edi Rama u shfaq në krah të kryebashkiakut Dako.

Ishte ky i fundit ai që mori fjalën i pari dhe pa humbur kohë nisi të rendisë arritjet siç i quajti, të cilat kanë bërë që jeta e durrsakëve të përmirësohet.

Mes falënderimeve për Ramën, Dako nuk e fshehu dëshirën për të vazhduar punën për Durrësin, por nuk dihet ende nëse Rama do t’i japë sërish mbështetjen.

“Dua t’ju falënderoj edhe për të gjithë kontributin që keni dhënë bashkë me ne për transformin e qytetit. Falenderim Ramës që na ka mbështetur për 12 vite rresht. 4 vite më parë 56 mijë durrsakë mbështetën drejtimin e duhur si e vetmja rrugë për Durrësin. Sot nuk ndjeheni të zhgënjyer, ne i kemi mbajtur premtimet e 4 viteve më pare, – theksoi Dako. – Ky ka qënë mandat i nëntokës, shumë punime qytetarët nuk i kanë parë por ato investime kanë ndihmuar për të përmirësuar jetën e tyre. Në muajin qershor do kemi furnizim me ujë të pijshëm pët të gjithë qytetin e Durrësit. Duam të punojmë akoma, më shumë, të transformojmë më tej Durrësin për të përmirësuar jetën e qytetarëve”,- tha Dako.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë