Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama ndërsa informoi sot se 207 shtëpi janë të dëmtuara nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit, premtoi kompensim të dëmeve.
Për 40 familjet që i kanë humbur shtëpitë plotësisht, Rama tha se do të kenë shtëpi të reja.
Ai shtoi se deri tani numërohen 3 619 krerë të humbur, dhe se shteti do të kompensojë “një për një” pa asnjë diskutim të gjithë.
“Në radhë të parë dua që t’ju shpreh ngushëllim kujt humbi të afërmin e vet dhe t’ju shpreh të gjithë solidaritetin atyre familjeve që faktikisht kanë humbur shtëpinë nga zjarri.
Tani që flasim janë rreth 207 shtëpi të prekura nga zjarri, por në këtë numër hyjnë rreth 40 familje të cilat faktikisht e kanë humbur shtëpinë plotësisht. Dua t’i siguroj të gjithë, qoftë familjet që kanë humbur banesat plotësisht, qoftë ato të cilat kanë pësuar dëmtime në shtëpitë e tyre nga zjarri, se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe padiskutim se siç ka ndodhur në të shkuarën do të ndodhë përsëri.
Askush nuk do të jetë vetëm dhe askush nuk do të mbetet pa e pasur në krah shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



