Dita e infermierëve u kujtua të mërkurën nga qeveria përmes dhëniesh certifikatash për punën e bërë gjatë pandemisë, premtimit të pandryshuar nga kryeministri Rama për rritjen e pagave me 40% si dhe një mesazhi po prej tij se denoncimet për ryshfet janë raste sporadike të veçuara që nuk duhet të ulin ritmin e punës nga infermierët.
“Puna juaj çdo ditë në të gjithë sistemin e vaksinatorëve është fantastike dhe disiplina korrektesa, serioziteti, profesionalizmi është mbresëlënës, prandaj respektet e mia më të sinqerta për këtë fakt dhe padiskutim që ky fakt na jep shumë energji dhe besim më tepër se në të gjithë procesin e transformimit të shëndetësisë mund të mbështetemi te njerëz si ju.
Jam i keqardhur sa herë ndodh që në mjedisin publik dalin pamjet e një ane të errët, të shëmtuar, të neveritshme, të të gjithë kësaj përpjekje për shkak të individëve të caktuar që nuk janë në lartësinë e mendimit dhe nuk meritojnë të jenë as mes qytetarëve të lirë.
Ne e dimë shumë mirë që individë të atillë nuk janë përfaqësuesit e armatës suaj. Shumica janë heronj, nuk janë njerëz të ulët që fusin duart në xhepat e familjarëve për të bërë detyrën në raport me pacientët.
Nuk duhet të ligështoheni nga balta që e merrni të gjithë bashkë. Nuk duhet të humbni për asnjë sekondë sensin e punës së jashtëzakonshme”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.