Rend dhe Ligj

Rama i vuri afat Drejtorit, edhe Rrumbullaku u jep 100 ditë kohë strukturave vendore të përmbushin objektivat

Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka zhvilluar takime me strukturat e drejtorive vendore të Policisë Vlorë, Gjirokastër, Fier, Berat, Lezhë dhe Shkodër, si dhe me strukturat e drejtorive vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Gjirokastër dhe Shkodër.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka theksuar se ndryshimin e vizionit për një qasje ndryshe ndaj komunitetit dhe në luftë ndaj krimit, me qëllim vendosjen e një standardi të ri për metodologjinë e punës së strukturave të Policisë së Shtetit, e ka mision dhe sfidë personale dhe kjo kërkesë llogarie nga ana e tij do të jetë e njëjtë deri ditën e fundit që do të jetë në këtë detyrë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka theksuar gjithashtu se angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, realizimi i detyrave, prioriteteve dhe objektivave të përcaktuara më parë dhe atyre të vendosura në kuadër të 100 ditëve, do të jenë të vetmit faktorë që do të përcaktojnë vijimesinë e punononjëve në detyrë.

“Ndryshoni menjëherë metodologjinë e punës, duke filluar nga drejtori e deri te shefi i seksionit, mos komandoni nga zyrat por dilni në terren, kontrolloni, mbështesni, ndihmoni dhe orientoni shërbimet që keni në varësi, për të përmbushur sa më mirë detyrën në shërbim te qytetarëve”, ka thënë Rrumbullaku duke shtuar se kërkon impenjim maksimal dhe profesional, për hetime të thelluara, duke bashkëpunuar me prokuroritë respektive dhe agjencitë ligjzbatuese.

“Intensifikoni masat, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më pare”.

Gjithashtu ka kërkuar që të intensifikohen kontrollet në terren, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në terren të hapur dhe në ambiente të mbyllura.

“Grumbulloni informacion për lokalizimin dhe mundësoni kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri ose me lëndë narkotike”.

Gjithashtu ka thënë se parandalimi dhe goditja e krimeve mjedisore të jenë ndër prioritetet parësore të punës së strukturave vendore të Policisë.

“Të luftohen krimet ndërkufitare”, ato që mund të zhvillohen nëpërmjet detit, kufirit të gjelbër apo nëpërmjet pikave të kalimit kufitar. Të rritet efikasiteti i goditjes së veprimtarive kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit të mjeteve motorike, kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë dhe të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta për kalim të paligjshëm të kufirit, të cilët hyjnë ilegalisht në vendin tonë, përmes kufirit të gjelbër me shtetin grek.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë