Lajme

Rama i rikthehet “Shpifjes”: Kemi ligje të buta, por jo burg

Kryeministri Edi Rama i qëndron bindjes se Shqipëria ka një legjislacion të butë sa i takon ndëshkimit të shpifjes, por sërish thotë se tek propozimi që po harton qeveria nuk do të shkohet në nivelet e ndëshkimit të kësaj vepre me burg.

“Deri më sot ne kemi pasur një legjislacion ndër më të relaksuarit për sa i përket shpifjes dhe patjetër që qëllimi ynë nuk është që të shkojmë drejt modeleve si ato të shumë vendeve të Bashkimit Europian ku shpifja është jo vetëm në kodin penal por e dënueshme deri edhe me burg”, thotë ai.

Në konferencën “Agjencitë e Lajmeve vs Fake News”, të organizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, shefi i qeverisë theksoi nevojën e rregullimeve ligjore sidomos sa u takon atyre që njihen si portale. Ai paralajmëroi futjen e tyre dhe të gjithë medias online në legjislacion.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se ideja që ka qeveria sot për të ndëshkuar lajmin e rremë shtrihet jo vetëm tek burimi i lajmit të rremve, por edhe tek portalet e mediat e tjera që e përhapin atë.

“Tek shumëfishimi në pafundësi do të ndërhyjmë edhe për të ndëshkuar përhapësin e shpifjes, që do të thotë që nëse një media është përgjegjëse për një lajm të rremë apo një shpifje, cilido që e merr dhe e replikon, është po aq përgjegjës sa media e origjinës”, vijoi Rama.

Për të ndërhyrë tek shpifja duhet ndryshuar Kodi Penal dhe ai Civil. Por ndërhyrja tek dy kodet kërkon edhe votat e shumicës. Zgjidhjen Rama e gjen tek përditësimi i legjislacionit ekzistues duke shmangur ndryshimet e Kodeve. Një masë është rritja e gjobës.

“Besoj që është mëse e mjaftueshme për të krijuar një situatë më të shëndetshme, ashtu sikundër është e domosdoshme edhe të garantojmë të drejtat e autorit”, deklaron Rama.

Fenomeni nuk është shqiptar dhe për ta ilustruar këtë, Rama sjell një shembull nga Franca.

“Pak javë më parë Parlamenti francez miratoi një ligj shumë të ashpër kundër shpifjes apo lajmeve të rreme, i pagëzuar ndryshe me emrin e Presidentit të Francës, “ligji Makron”, që faktikisht krijon rregulla të reja për t’u dhënë autoriteteve fuqi të jashtëzakonshëm për të hequr përmbajtjen e rreme të përhapur përmes medias sociale, e madje për të bllokuar edhe burimet që e publikojnë atë si dhe për një transparencë financiare shumë më të madhe se deri sot”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë