Spërkatja me bojë përmes një shiringe, jo vetëm që nuk e ka ndalur Kryeministrin Edi Rama në atë që Partia Demokratike e cilësoi “tallje e bullizëm” ndaj Edi Palokës, por përkundrazi.
Kreu i Qeverisë ka reaguar pas incidentit në seancën plenare dhe për këtë ka zgjedhur rrjetet sociale. Rama poston simbolikisht foton e një shiringe në Instagram dhe e shoqëron atë me një diçiturë ironizuese ndaj nënkryetarit të PD-së.
“Penda e mendimtarit E.Th.Palotha pas një derdhjeje të fuqishme mendimesh mbi rolin e opozitës në zhvillimin e vendit”, shkruan ai.
Pas Instagramit, Kryeministri reagoi edhe në Facebook, ku numëron më shumë ndjekës.
“Dy gjëra janë të pafundme, universi dhe budallallëku i njeriut”, shkruante Albert Ainshtajni, përpara se sa opozita në Shqipëri të merrte formën e një Budallallëku Universal, që vizion ka Vezën e Lulit, ide ka Çizmen e Doktorreshës dhe program ka Bojën e Palothës”, shkruan ai në shënimin shoqërues të videos, kur bie pre e goditjes me bojë.
Pak orë pas këtyre dy reagimeve, Kryeministri postonte në një tjetër rrjet social. Në Twitter ai thotë se ka marrë mesazhe mbështetëse dhe i falenderon të gjithë ata që ja kanë dërguar. Më pas nuk kursen termat kundër opozitës dhe shprehet i vendosur për të vazhduar përpara.
Në kohën kur Edi Rama postonte reagimet e para, Partia Demokratike shpërndante një video-montazh. Videoja shfaq imazhet nga seanca të kaluara të përplasjes mes Edi Ramës dhe Edi Palokës ndërthurur me goditjen simbolike me bojë të nënkryetarit të PD-së ndaj Kryeministrit. Në fund, ajo mbyllet me imazhin e Kryeministrit të bojatisur në fytyrë.
Vetë Edi Paloka tha se sulmi nuk ishte një hakmarrje personale. Në deklaratën e dhënë për mediat para selisë së Partisë Demokratike ai u shpreh se gjesti ishte një kundërpërgjigje në emër të qytetarëve për të gjitha fyerjet dhe vjedhjet e Edi Ramës.
Ndërkohë, përmes rrjeteve sociale ka reaguar ministri Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ai i krahasoi skenën në Kuvend me skenat e Kuvendit maqedonas kur në pushtet ishte Nikolla Gruevski.
“Përpjekja e sotme ishte shumë e ngjashme me ato skena që krijoi Gruevski në Kuvendin e FYROM në prill të 2017 në bashkëpunim të ngushtë me kumbarët anti-atlantikë nga Lindja. Asgjë nuk e ndalon vullnetin e njerëzve të lirë të Ballkanit për t’u bashkuar në NATO dhe BE. Urime për Maqedoninë e Veriut!”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




