Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Njësisë Administrative Nr. 2 në Tiranë, i është përgjigjur në mënyrë të tërthortë presidentit Ilir Meta, i cili gjatë konferencës mëngjesin e sotëm i mëshoi fort faktit se 30 qershori nuk ekziston si datë zgjedhjesh dhe se bëhet fjalë për një proces imagjinar.
Kreu i qeverisë është shprehur i prerë se nuk ka asnjë shans që zgjedhjet të mos zhvillohen më 30 qershor, pasi sipas tij, kush do të zgjidhet, duhet të paraqitet në zgjedhje.
Sipas Ramës, kjo që po bën opozita është vetëvrasje politike spektakolare.
“Gjëja më e rëndësishme për ne është që procesi të jetë sa më korrekt. Mungesa e kundërshtarëve e bën të komplikuar fushatën nga një anë tjetër, sepse një pjesë thonë s’ka kundërshtarë, s’ia vlen, do ikim në plazh, një pjesë tjetër thonë s’jam duke shkuar se vota ime është e fshehtë.
Por do duhet vëmendje e madhe për të pasur proces të rregullt. Secili mund të zgjidhet, nëse dëshiron të paraqitet, pastaj secili në mendjen e vet do me u zgjedh apo jo. Është një vetëvrasje politike spektakolare, por nuk kemi çfarë të bëjmë ne. Nuk ka shans të ndodhë kjo që thonë ata “unë nuk jam gati për ndeshje, ti s’do hysh në stadium”.
Edhe në takimin e sotëm nuk kanë munguar batutat, pasi kryeministri Rama ka ironizuar edhe me filxhanin. “Ja janë dy rrugë, ecin paralelisht, është një I me kokë lart e pikë poshtë”, tha duke qeshur ai, e duke shtuar “Nuk ka P, parlamenti nuk ekziston, P ka ikur, ka vetëm I”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




