Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kërkesave të studentëve dhe i fton ata që të komunikojnë së bashku paraditen e së hënës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri fton studentët në atë që e quan ‘Dialog për Universitetin’.
Sapo ftesa e Ramës mbërriti mes protestuesve, studentët përsëritën në kor përgjigjen e tyre të zakonshme.
“As dialog dhe as negociata! Plotësoni kërkesat”, thanë ata.
Disa prej tyre ironizuan deklaratën e parë të Kryeministrit për studentët protestues, kur i quajti “ngelësa”.
“Ne jemi ngelësa! Pse nuk na ftoi në dialog kryeministri kur miratoi VKM-në që na mori shpirtin. Nuk ka nevojë për dialog. Të realizohen pikat dhe nuk ka nevojë për asnjë negociatë”, thonë studentët.
Kjo është hera e dytë që studentët refuzojnë ftesën e Kryeministrit. Ftesa e parë u bë përmes rubrikës “Përgjigjia ime”, që kreu i Qeverisë e shpalos përmes ERTV-së në Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




