Portofol

Rama humb besimin te gratë për të mbushur arkën e shtetit. Vendos burra në vend të tyre

Pas pesë vjet e gjysmë, Kryeministri Edi Rama dështon në sipërmarrjen e tij për të mbajtur në krye të dikastereve më të rëndësishme të financave publike drejtuese gra, pavarësisht se ato i ka jo të pakta në numër në Parlament dhe Qeveri. Në këtë të fundit përfaqësimi i grave është më shumë se 50%.

Qeveria ka shkarkuar drejtuesen e Doganave, Belinda Ikonomi dhe atë të Tatimeve, Vasilika Vjero duke emëruar në krye të dy institucioneve me rëndësi për të ardhurat e arkës së shtetit, dy burra.

Respektivisht janë emëruar në krye të tatimeve Enton Duro, i cili mbante pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Taksës së Pasurisë në Ministrinë e Financave dhe në krye të doganave Arlind Gjokutaj që mbante pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Pastrimit të Parave.

Pritet që Belinda Ikonomi të marrë detyrën e zëvëndësministres së Financave dhe Ekonomisë, ndërsa për Vasilika Vjeron nuk dihet ende nëse do të ‘rehabilitohet’ në ndonjë pozicion tjetër.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë rubinetët kryesorë të furnizimit të buxhetit të shtetit me të ardhura të mbledhura përmes taksave dhe tarifave.

Prej 2013, këto institucione, Kryeministri Edi Rama ua ka besuar vetëm grave. Pavarësisht përzgjedhjes së gjinisë më të nënpërfaqësuar në administratë, Rama nuk u shpëtoi kritikave dhe akuzave. Të parat lindën që me Elisa Spiropalin, aktualisht deputete e PS-së. Spiropali u katapultua në krye të doganave pa një përvojë të qenësishme në këtë sektor, ndërkohë që thuajse të njëjtën rrugë ndoqi edhe Briseida Shehaj në krye të Tatimeve.

Si Spiropali, ashtu edhe Shehaj janë akuzuar nga opozita për praktika korruptive, pas të cilave në të vërtetë – sipas saj – qëndronte Kryeministri Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë