Kryeministri Edi Rama ishte në takimin e përjavshëm me “Platformën e Bashkëqeverisjes” ku qytetarët kanë prezantuar problemet e tyre të zgjidhura nëpërmjet platformës. Kreu i qeverisë tha se çdo qytetar që ndeshet me një proces administrativ të pafavorshëm, t’i drejtohet “Platformës së Bashkëqeverisjes”, për të zgjidhur problemin e tyre.
“Ata qytetarë që nuk gjejnë të drejtën e tyre, mjafton që t’i drejtohen platformës dhe skuadra është e gatshme, në kohë reale që të adresojë problemin dhe të japë zgjidhje”, u shpreh kryeministri.
Ai u shpreh se sipas të dhënave të sondazheve është rritur besimi te platforma. Sipas tij, nëpërmjet kësaj platforme qytetarët jo vetëm që marrin shërbim dhe zgjidhin hallet e tyre, por njëherësh ushtrojnë presion mbi administratën, duke e përmirësuar punën e tyre.
“Skuadra e platformës është e gatshme të adresojë problemin dhe ta zgjidhë atë. Kemi bërë një anketim lidhur me perceptimin e publikut për shërbimin e kryer. Kemi konstatuar se përqindja që vlerësojnë se shërbimet janë përmirësuar është e konsiderueshme dhe e pakrahasueshme me atë që kishim një vit më parë. Platforma jo vetëm zgjidh probleme, por edhe ushtron presione mbi administratën”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri Rama ka prezantuar edhe studenten e punësuar së fundi në platformë, që vjen nga radhët e “Paktit për Universitetin” për punësimin e ekselentëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



