Irena Beqiraj
Rama është për Bashën ‘I dashuri armik ‘
"Armiku i vetëm është Rama" . Ah sikur të ishte kështu ! Ne jemi larg stadit , ku një person i vetëm të jetë i vetëm edhe i vetmi armik i zhvillimit edhe i shoqërisë .
Vendimet e këtij shtatori, nga të dy kahet qartazi edhe hapur tregojnë që tanimë jemi zyrtarisht në një spirale, edhe më të vështirë se regjimi njëpartik , në atë të autokracisë personaliste.
Për një kohë të gjatë, të gjitha regjimet jo-demokratike i grumbullonim së bashku. Në 20 vitet e fundit, shkenca politike ka bërë përparim duke pranuar se ka një ndryshim të madh në llojet e ndryshme të regjimeve autokratike. Regjimet njëpartiake, siç i shohim në Vietnam ose Kinë të ngjashme me Shqipërinë komuniste apo regjimet ushtarake, në Mianmar ose në Kilin e Pinochetit, sillen shumë ndryshe nga regjimet personaliste.
Në regjimet personaliste kemi një udhëheqës të vetëm, vendimet e të cilit janë të pakufizuara nga një organizatë, dhe një individ i vetëm përcakton çdo politikë, çdo vendim, përcakton njërzit në parlament, në qeveri edhe indirekt kudo tjetër.
Venezuela e Hugo Chávez, Turqia , Shqipëria e sotme, çdo entitet i saj, Partia Demokratike , Partia Socialiste, Universitetet tona janë shembull i ekselent i regjimeve personaliste .
Berisha padyshim është arkitekti mjeshtër i këtij regjimi, duke korrur çfarë mbolli. Ndërsa Rama edhe Basha pa më të voglin ndryshim, pa pikë ndroje, e kthyen funksionimin e tij në art.
Demokracia dukshëm është vetëm një realitet imaginar në Shqipëri. Eshtë një përrallë e bukur të cilën në shqip na e tregon herë Basha e herë Rama, ndërsa në anglisht na i rrëfen i vetmi zot mbi këtë tokë, ambasada amerikane. Realitetin që ju çdo ditë ndërtoni është e kundërta e demokracisë madje është provuar, më i korruptuar, më pak zhvillues edhe se autokracia njëpartiake.
Vendimet, respekti i Bashës për mendimin ndryshe edhe demokracinë, nuk ndryshojnë aspak nga ato të Ramës, madje ai guxon të implementojë hegjemoninë personale nga pozitat e humbësit, duke vrarë çdo shpresë për ndryshim.
E në këto kushte Rama është për Bashën "I dashuri armik ".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.