Politike

Rama: Diella nuk do të punojë e pavarur. Rezultatet do t’i vendosë komisioni

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama i ka dhënë përgjigje pyetjeve mbi punën e Diellës dhe mundësisë së “korruptimit” të algoritmeve.

Gjatë një aktiviteti dedikuar prokurimeve, Rama tha se proceset do të monitorohen nga njerëzit dhe rezultati do të vlerësohet nga një komision.

“Cilido që do dojë, të rishikojë manualisht me sytë e njeriut procesin, do të ketë mundësinë ta bëjë. Kjo do të thotë se asgjë që del nga procesi si rezultat, nuk do jetë e pagjurmueshme në rast nevoje për auditimin e hapave që sollën rezultatin. Është shumë, shumë e thjeshtë. Dhe në fund fare, për nxjerrjen e një rezultati, do ta marrë përsëri komisioni përkatës, bazuar në të gjitha të dhënat që Diella do të vendosë në tavolinë“, sqaroi Rama.

Rama u shpreh se përparimi i teknologjisë është një “bekim” për vende si Shqipëria, të cilat kanë hasur prapambetje për shkak të historisë.

“Dua të theksoj që ne po e vazhdojmë reformën sepse duam të shkojmë jo vetëm më larg, por edhe duam të shkojmë aq larg sa na çon bekimi i sotëm i teknologjisë dhe AI, që janë realisht dhurata të një kohe të re për vende si i yni, ku e gjithë prapambetja e shkaktuar nga historia mund të kapërcehet me fuqinë e progresit eksponencial që jep teknologjia”, tha ai.

Rama përmendi Diellën si një fenomen botëror siç e cilësoi ai, që u “ndesh kokë më kokë” dhe me Angelia Jolie.

“Të gjithë e keni dëgjuar Diellën, sepse Diella është bërë një fenomen botëror. Është një grua që për nga interesi që ka shkaktuar në të gjithë botën, ka arritur të konkurrojë në një moment Angelina Jolie“, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë