Lajme

Rama bojkoton Kuvendin, e lexon fjalimin në ERTV

Sherri në Parlament, ku u qëllua me vezë, e që u shoqërua me mos fjalimin e kryeministrit ka detyruar Edi Ramën që ta lexojë fjalimin në hapësirën e pacenueshme në rrjetin social në ERTV.
Në postimin “Fjala ime në Kuvend”, kryeministri thekson se kohën e dhënë në dispozicion do t’ia linte opozitës për të diskutuar, pasi dialogun ai e ka me studentët. Ndërsa ka reaguar edhe për sulmin që iu bë ndaj tij nga deputeti i PD-së, Hasa, i cili e qëlloi me vezë.


“Sot u mblodh Parlamenti për të diskutuar për studentët, me kërkesë të opozitës, medemek në emër të studentëve, ndërkohë që jashtë parlamentit ishin mbledhur copat e cikat të revolucionit imagjinar të këtij dhjetori. Një trim kotecesh u vërsul drejt foltoresh me vezë e nxjerra nga xhupi i liderit të PD-së, sapo nisi debati me fjalën time, dhe aty e mbaroi. Opozita e bllokoi diskutimimin që e kërkoi vetë, duke e kthyer seancën në një konflikt rruge. Ja dhe fjala që më është dhënë, por nuk e mbajta dot. Bujarisht më janë dhënë 40 minuta për të folur. Por unë zoti kryetar, minutat e mia në këtë foltore, do t’ia fal liderit të opozitës së kthyer këtu, me mandate të pjekura po jo të djegura. Sot më shumë se asnjëherë, askush më kollaj se sa vetë Lulëzimi, s’mund t’ua tregojë shqiptarëve pse zgjedhja e tyre e vetme është e do të jetë, kjo shumicë qeverisëse. Ndërsa unë vetë, do të shkoj të vazhdoj Dialogun e vështirë me studentët, pasi ata më shohin mua e këtë shumicë qeverisëse, si zgjidhjen e tyre të vetme, kurse unë e shoh këtë moment proteste të tyre, si pikënisjen e një kapitulli të ri të qeverisjes sonë”, shprehet Rama gjatë videos së postuar në ERTV.

Më tej kryeministri thekson se “ky Parlament s’ka nevojë për mua, ndërsa studentët po. Por edhe unë kam sot kam nevojë të dëgjoj studentët që ndjehen të papërfaqësuar, jo opozitën e Lulëzimit, që përfundimisht as nuk e di, po as ka për ta mësuar kurrë dallimin mes mandatit të përfaqësimit dhe mandatit të arkëtimit”.

Ndërsa gjatë fjalës së tij të parashikuar për t’u mbajtur në Parlament nuk i kursen as ironitë jo vetëm ndaj kryedemokratit, por edhe ndaj kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

“Mirë se u ktheve shëndoshë e mirë i dashur Luli, se megjithë atë mllef që kishin për ty protestuesit ta kam pasur vërtetë merakun-sidomos pas gjumit tënd të drekës, kur niseshe për në takimin me djalin e Fariut dhe Shqiponjës, e largqoftë mahmur mund të çonin këmbët te sheshi i Republikës së Re, Po shyqyr thuaj vëlla, që studentët e kishin keq fare edhe motrën opozitare. Kështu ata që s’dinin kë “të kapnin prej zhelesh” të parin, siç do të thoshte e dashtuna jote Jozefinë, ndërsa ju i fshehtët nëpër turmë ato dy çika parti që ju kanë mbetur dhe ja ku jeni, të dy, shëndosh si molla. Hajde tani, merre fjalën time e tregojuani vetë shqiptarëve, se sa i panevojshëm je për ta, që përveçse mos të të votojnë, mos të të kenë inat kot, për gjëra që ti jo nuk i bën dot apo s’i kupton dot, po mbi të gjitha nuk të interesojnë. E ndërkohë që lideri i opozitës po vjen të marrë fjalën, pasi për këtë fjalë kaq të rëndësishme sot, sakrifikoi planin e tij strategjik për djegien e mandateve, ju lutem zoti Kryetar që si zakonisht nuk u konsumon dot të gjitha minutat se i mbaron kaseta, t’ua kaloni mbetjen kohore Doktoreshës së Shkencave Ekonomike, zonjës Monika Kryemadhi. Jam i sigurt se shumica në këtë sallë, e ndan me mua bindjen që Doktoresha do ta shfrytëzojë çdo minutë për t’u ndriçuar rrugën studentëve që s’e shohin dot me sy (atë jo rrugën), me të gjithë shpirtmadhësinë e saj gati fetare dhe fuqinë e përgjegjshmërisë së lartë shkencore që e karakterizon, jo vetëm sa hap gojën, por sidomos kur harron ta mbyllë atë. Suksese të dyve!”, mbyll fjalimin Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “e gjithë vëmendje ime është për studentët e vërtetë, ata që dialogojnë apo nuk dialogojnë, por refuzojnë me neveri këtë opozitë rrugësh dhe kotecesh”.
Ai thekson se “dialogu do të vazhdojë ndërkohë që grupet e punës po punojnë intensivisht për dokumentin e një pakti për universitetin, natyrisht duke nisur nga 8 pikat, padyshim”.
Ai kujtoi gjithashtu se prej ditës së djeshme është në dispozicion faqja e Dialogut për Universitetin në “shqiperiaqeduam.al”.

“Të gjithë atyre që duan të kontribuojnë me opinionet dhe sugjerimet e tyre u kujtoj se prej ditës së djeshme është në dispozicion faqja e dialogut për Universitetin. Duke klikuar tek “shqiperiaqeduam.al”, ju mund të njiheni me draftin e grupit të punë për 8 pikat si dhe të përfshiheni në këtë dialog të domosdoshëm për studentët, Universitetin dhe shoqërinë”, përfundoi Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2225148174472243/?t=2

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë