Lajme

Rama: “Bindjen” e Patozit e themeloi Saliu

Kryeministri Edi Rama mohoi akuzat se i ka dhënë një dorë të mirë ndihme Astrit Patozit për të formuar partinë “Bindja Demokratike”. Ai ironizoi këto akuza dhe gishtin e autorësisë e drejtoi sërish nga kampi opozitar.

“Na doli tani se unë paskam formuar ‘Bindjen Demokratike’?! Pse jo Saliu?! Ku ndryshon Patozi nga Saliu dhe Luli?! Ata merrnin pjesë në aferat e qeverisë, Astriti vinte këtu me duar në xhepa dhe u bënte avokatin. Patozin e futi Saliu në zgjedhje! Një çun për rrugë dhe një për zgjedhje. Çfarë hoqëm ne me PD, pse na u dashka të krijonim një PD tjetër tani?!”, deklaroi ai.

Sali Berisha nuk e ka komentuar ende partinë e re të Astrit Patozit dhe ky fakt lexohet si sinjal nga ana e Edi Ramës se pas formimit të kësaj partie qëndron vetë paraardhësi i tij.

“E keni dëgjuar Saliun?! Nuk thotë asgjë për Astrit Patozin. Zgjedhje e lirë thotë, pra zgjedhje Bindja Demokratike. Pra, një copë SHQUP e kemi në garë, një copë SHQUP në rrugë! Një copë SHQUP, ajo që nuk e do Monikën e kemi në garë dhe copa që do Monikën është në rrugë”, vijoi Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/327361341311171/

Kryeministri “mori në mbrojtje” deputeten e PD-së, Rudina Hajdari.

“Me zonjën Hajdari bëjnë të njëjtën gjë që bënin me të atin e zonjës Hajdari. A harrojnë çfarë i bënte Baca (Sali Berisha) Azem Hajdarit sa herë që përplasej me të?!”, u shpreh ai.

Rama jo vetëm që u shpreh i bindur se zgjedhje më 30 qershor do të zhvillohem, por i kujtoi opozitës kodin zgjedhor dhe atë penal nëse vendos që ta pengojë këtë proces.

“Pengimi i zgjedhjeve dënohet 1-5 vite burg, falsifikimi i materialeve zgjedhore dënohet 1-5 vite burg, dënimi i materialeve zgjedhore dënohet 6 muaj deri 7 vite burg, korrupsioni 1-5 vite burg, kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje për të votuar apo jo dënohet me 6 muaj deri në 3 vite. Kanosja që i bëhet vëzhguesit 1-4 vite burg, 2-5 kur është në bashkëpunim, se këtu është bashkëpunimi i madh, këta duhet ta dëgjojnë. Pengimi i zgjedhjeve për të votuar personi dënohet 1-5 vite dhe 3-7 vite kur bëhet në bashkëpunim. Nëse ka budallenj që janë gati të përballen me këtë ligj të votuar nga Parlamenti me iniciativë të PD-së dhe PS-së, kur ishte në opozitë, për hatër të Lulit apo pse filxhani se ka nxjerrë akoma qartë, le të shkojë”, shtoi kreu i Qeverisë.

Akuzat për shit-blerje votash, Kryeministri i cilësoi hipokrizi, sidomos kur ato shqiptohen nga LSI.

“Të them të vërtetën, në zgjedhjet e 2017 ne një problem kishim: si do i ruajmë nga fallxhorja (Monika Kryemadhit). Kur është diskutuar nuk kemi pasur problem PD-në, por simotrën tonë LSI-në. Bëjeni provë të rrijë LSI një turn pushim dhe shikojeni që nuk ka as blerje dhe as shitje votash, se nuk ka kush i blen dhe i shet”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë