Në një intervistë dhënë për Corriere Della Sera, Kryeministri Edi Rama përjashton dorëheqjen, e po ashtu edhe zgjedhjet e parakohshme. Ai minimizon protestën e opozitës dhe flet për një krizë të thellë në të cilën është futur kjo e fundit.
“Në Shqipëria nuk po ndodh asgjë. Ajo që dihet është një krizë e thellë e opozitës, që nuk është në gjendje që të sfidojë qeverinë politikisht. Kjo minorancë është më e dobët në krahasim me zgjedhjet e 2017 dhe nëse shkojmë në në zgjedhje nesër do të merrte më pak vota”, deklaron Rama.
“As që e mendoj dorëheqjen. Populli më ka dhënë një mandat të qartë dhe kemi një mazhorancë të pastër në Parlament. Unë kam një detyrë përballë qytetarëve të mi dhe nuk jam i detyruar që të zbatoj kërkesat e pakicës parlamentare. I vetmi detyrim i imi është respektimi i kontratës që kam me popullin shqiptar që na dha votën për të qeverisur.
Rama qetëson investitorët e huaj dhe veçanërisht ata italianë, duke qenë se intervista jepet për një media italiane.
“E vetmja arritje e protestës ishte përhapja e një imazhi negativ me një dhunë absurde dhe rezultat zhgënjyes. E vetmja pasojë konkrete ishte shkatërrimi i një vepre arti, një kërpudhë e instaluar në lulishten e Kryeministrisë”, thotë ai.
Por, për një tjetër protestë Rama ndan një tjetër këndvështrim. I pyetur mbi manifestimet studentore në javët e fundit të vitit të kaluar dhe në ditët e para të këtij viti, Rama thotë se studentët denoncuan problematika reale dhe për këtë Qeveria i dëgjoi dhe mblodhi kërkesat e tyre.
Kryeministri pranon se vendi ka probleme me trafikun e drogës, por kujton raportin e 2018 të Guardia di Finanzia mbi luftën kundër haashashit. “Rezultatet janë spektakolare përsa i takon luftës së qeverisë time kundër këtij fenomeni”, deklaron Rama.
Rama njeh si problematikë edhe korrupsionin, por edhe në këtë rast garanton median italiane se qeveria e tij po maksimumin për ta çrrënjosur. Në kuadër të kësaj lufte, Rama thotë se është ndërmarrë edhe reforma në drejtësi, ndërsa shton se po punohet me kuadrin ligjor për t’i dhënë imunitet administratës publike ndaj rryshfetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




