Lajme

Rama: 30 qershori, zgjedhje mes të ardhmes dhe të shkuarës

Kryeministri Edi Rama nuk ndau asnjë shqetësim në Urën Vajgurore se zgjedhjet për pushtetin vendor do të zhvillohen më 30 qershor madje kërkoi votën e qytetarëve për të çuar edhe më tej, reformat, që sipas tij reformat që i kanë munguar vendit në të gjitha vitet para se ai të vinte në pushtet.

Pavarësisht se kandidatët socialistë nuk kanë kundërshtarë në më shumë se gjysmën e bashkive të vendit, Rama e vlerëson 30 qershorin si një zgjedhje, zgjedhje jo vetëm mes të ardhmes dhe të shkuarës, por edhe për të përfunduar reformën në drejtësi, të cilën sipas tij opozita kërkon që ta varrosë.

“Do të zgjedhim mes një vendi normal dhe demokracisë që duam dhe pushtetit të atyre që përmes dhunës synojnë të kthejnë pas kohën, synojnë të marrin zvarrë jetën demokratike të vendit dhe të varrosin reformën në drejtësi”, u shpreh Rama.

Kryeministri përsëriti akuzën se opozita i trembet humbjes, ndaj nuk hyn në zgjedhje.

Rama përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje të ngjashme si ajo e majit të 2017 me Lulzim Bashën.

“I duruam pa fund, deri në sekondën e fundit kur shpëtova Lulin, morën gjysmën kryesore të Shqipërisë. Tani i doli gjumi nga shiu dhe filli prap avazin. Nuk është detyra jonë dhe as në mundësitë tona që ta shpëtojmë sërish Lulin”, u shpreh ai.

Kryeministri iu referua deklaratës së Donika Prelës për të shpjeguar se përse dalja e përgjimeve është një shantazh politik që po i bëhet nga opozita.

“Dëgjojeni deklaratën e drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda. Dëgjojeni dhe lexojeni kush janë personat që i kanë mbajtur në sirtar. Prokurorët i kanë çuar te partia për t’i përdorur për politik, sepse i bashkon shumë gjera ata: Lufta kundër Reformës në Drejtësi. Prokurorë e politikanë që i tremben Reformës në Drejtësi. Drejtësia ka vonuar shumë, por mos harroni që nuk po bëjmë drejtësi popullore, por ndërtojmë një sistem drejtësie me ndërkombëtarët, ku prokurorët e gjykatësit nuk do të kenë lidhje me politikanët”, u shpreh ai. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë