Gazeta Si – Henrik Hoxhaj, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë”, zbërtheu edhe një herë këtë të martë skemën për organizimin e atentatit të dështuar ndaj biznesmenit Lulzim Masha në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë në janar të vitit 2022.
Sipas të pandehurit, i cili gjatë hetimeve iu hoq nga SPAK statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, shënjestra e vërtetë kishte qenë djali i Mashës.
Por, sipas tij, meqë nuk e gjenin dot, vendosën t’i vrasin të atin, që ai të shfaqej në ceremoninë mortore e më pas ta ekzekutonin.
Hoxhaj deklaroi se Nuredin Dumani i kishte ofruar 100 mijë euro për vrasjen e Lulzim Mashës dhe 150 mijë euro për vrasjen e të birit. Porosia ishte për vrasjen e djalit, por nuk e gjetën.
I pandehuri theksoi se kishte radio policie me vete dhe dëgjonte në kohë reale komunikimet e efektivëve, të cilët po përshkruanin autorin sipas tipareve të bashkëpunëtorit të tij.
Ai përsëriti se atentati ishte porositur nga i shumëkërkuari i drejtësisë që dyshohet se fshihet në Dubai, Eldi Dizdari, i cili i cili njihet si një nga trafikantët e mëdhenj të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë.
“Për Lulzim Mashën, porosinë për këtë rast, Nuredini ma ka dhënë në Kosovë, në Gjilan atje rrinte. Porosia fillimisht ishte për djalin e Lulzim Mashës, por nuk e gjetëm. Nuredini më tha se vajza e Lulzim Mashës kishte qenë e fejuar me një nga vëllezërit Dizdari dhe pas ndarjes, këta Mashat nuk i kishin kthyer disa para apo prona që Dizdarët kishin kaluar në emër të tyre”, tha ai.
Në seancë, Hoxhaj theksoi se armën për të vrarë Lulzim Mashën, ia dha “sakati”. Ai shtoi se vrasja dështoi, pasi arma e zjarrit iu bllokua Skerdi Tases, në momentin që do qëllonte Lulzim Mashën.
Hoxhaj deklaroi se përdori një person në një lokal në Tiranë për të marrë informacion mbi lëvizjet e Mashës
Ai shtoi se mbikëqyrja e objektivit zgjati rreth 1 vit dhe se për atentatin u përdor një automjet “Golf 4”, për të mos rënë në sy.
“Armën për ngjarjen na e dha ‘sakati’, Nuredini na lidhi me të, kjo armë u përdor, por i ngeci për dreq Skerdit atë ditë, unë kisha bërë dhe prova, 2 ditë para kisha qëlluar. Nuk po gjenim të birin dhe menduam të godisnim të atin që të vinte ky nga jashtë, kështu i bënim ne këto punë. Kur bëmë ngjarjen ndaj Lulzim Mashës, unë dëgjoja çdo gjë në radio, se kisha radio policie. Skerdi doli huq dhe i ngeci arma, në radio jepeshin përshkrimet e tij, me këtë bluzë kaq i gjatë etj”, rrëfeu Hoxhaj gjatë seancës gjyqësore.
Atentati ndodhi më 18 janar 2022, te Liqeni i Thatë, teksa Masha po lëvizte me makinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



