Sabina Veizaj - Nënë Ferideja mbi kostumin e zi ka mbështjellë një batanije dhe rreth kokës ka hedhur një shallë ngjyrë kafe tek ka shtrirë këmbët mbi një pupë në oborrin e shtëpisë që ka hapur dyert për mortin e familjarëve të shtëpisë fqinje përballë.
Jam në Kënetë të Durrësit, aty ku po gërmohet nën rrënojat e vilës katër katëshe të Albert Lalës, gjashtë persona të familjes së të cilit vazhdojnë të ndodhen ende nën rrënoja që prej tërmetit që ra të martën ndaj të gdhiri.
Feride Rama ka ardhur prej Dibre.
“Si të ndjehemi moj bijë, ata prej dy ditësh janë nën gërmadha. Po të punonin më shpejtë, ndoshta do ti kishin nxjerrë, do ishte shpëtuar jeta e tyre”- më thotë nënë Ferideja ndërsa gëlltit lotët dhe dhimbjen bashkë, që kushedi sa i është krijuar shtresa e helmit thellë në stomak.
Nënë Ferideja është mamaja e Marjeta Lala, gruas së Albert Lala, të zotit të shtëpisë, i cili para pak kohësh kishte ardhur pranë familjes nga vendi fqinj, Itali ku jeton e punon, pikërisht për të investuar në ndërtesën ku banonte familja e tij (dhe ishte kthyer sërish atje. Itali).
Siç do të më thoshin dy të njohur të tij në lokalin në anë të rrugës ku shpesh gazetarët shkojnë për të karikuar telefonët dhe mjetet e tjera teknologjike gjatë punës në terren këto ditë, “shtëpitë që kanë rënë, janë ndërtuar keq. Alberti më tha kur erdhi pak kohë më parë se kishte investuar 100 mln lekë vetëm për katin e katërt, por nuk ka menduar për themelet. Shtëpia ndërtohet me profesionistë dhe nuk kursehet tek siguria”
Por nënë Ferideja e pikëlluar lutet që vajza e saj me gjithë nipër e mbesë të jetë gjallë.
“Ajo ka fëmijët aty. Le ta shprehë hidhërimin, le ta shprehë të keqen ta nxjerrë jashtë.”- thotë një familjare që i qëndron pranë, por e bija tjetër, Xhesika Mikli nuk e lë të flasë.
“Lëreni ju lutem”- më thotë mua dhe gazetarit boshnjak, flas unë. Ajo është e helmuar.”- thotë Xhesika, e motra e Marjeta Lalas.
Ajo nuk ka ende asnjë informacion, por mendon se këto dy ditë është punuar me hapa të vegjël për të gërmuar nën rrënoja. “Kaq kam.”- më thotë dhe përqafon fort të ëmën.Të dyja me lot në sy.
Teksa në oborr dëgjohet zhurma e gjeneratorit dhe ndjehen dridhjet e tij, forcat zjarrfikëse italiane dhe greke vijojnë punën duke gërmuar nën rrënoja.
Duke qëndruar pas shiritit të sigurisë, bri meje, një familjare, meso grua, nis e më rrëfen tmerrin dhe dhimbjen.
“Alberti është djali i xhaxhait tim. Sapo e mësuam tragjedinë u nisëm menjëherë nga Gjirokastra. Ja kështu po flemë, zgjuar, ulur në karrike, pa batanije. Shteti nuk ka bërë asgjë. Rroftë fqinji që na ka hapur derën. Naimi është i tmerruar për vete. E vuan shumë dhe nuk i flitet me gojë. Është shumë i hidhëruar.”- më thotë Myzejene Duçka tek hedh herë pas here vështrimin kah zjarrëfiksit që punojnë intensivisht e japin e marrin me njëri-tjetrin.
Edhe efektivët e policisë së shtetit qëndrojnë aty duke vëzhguar zonën e sigurisë. Medie të ndryshme vendase dhe të huaja interesohen për mbarëvajtjen e gërmimeve dhe nëse është arritur të identifikohet vendodhja e njerëzve nën rrënoja.
Por, asnjë tregues.
Përballë shtëpisë së rrënuar, si përballë një kinemajeje verore ku shfaqet një film tragjik ndodhet i ulur në një karrike ngjyrë portokalli një i moshuar me sytë e kuq gjak nga të qarët.
Është Ramush Nuredini. “Jam daja prej hatëri e Marjetës, nga Dibra”- më thotë Nuredini dhe ngashëren thellë duke e hequr vështrimin prej meje e duke e shpënë sërish kah rrënojat.
Naimi që bart një jelek ngjyrë portokalli dhe sillet nëpër rrugicë është fqinja përballë i Albertit që menjëherë pas ngjarjes ka çelur dyert e mortit.
Në vilën tre katëshe të Naimit ku ai banon me dy djemtë, njëri prej të cilëve është i martuar dhe ka fëmijë, ka transnferuar në vend të sigurt nipërit dhe ka hapur derën për dhjetra të afërm e familjarë të Lalajve, gazetarë e fqinj për të mbështetur sa më shumë të jetë e mundur fqinjin në këtë tragjedi që e ka pllakosur.
Disa syreshë lajmërojnë se do vijë Presidenti Meta me stafin e tij të ngushtë.
Menjëherë sapo e takojnë, familjarët ankohen se institucionet shtetërore nuk kanë siguruar as infrastrukturën minimale për njerëzit që kanë pësuar një tragjedi të tillë.
“Jemi prej dy ditësh këtu në dhjetra njerëz që rrijmë në oborr dhe nuk kemi një batanije, çadra, ushqime, asgjë”- I drejtohet një mesoburrë Presidentit Ilir Meta.
Presidenti duke iu përgjigjur se ishte në padijeni të situatës, premtoi se brenda dy orëve situate e infrastrukturës do të zgjidhej.
Pasi qëndroi për pak minuta dhe tha gjërat ngushëlluese, që thuhen në këto raste, por aspak lehtësuese, presidenti Meta u largua.
Në një moment tek lëviz përgjatë rrugës që ndan shtëpitë e dy fqinjve, shoh djemë që vijnë me bukë.
“Janë bukë për njerëzit që kanë dy ditë që e gdhijnë”- më thotë Naimi me gjysmë buzëqeshje.
Në atë moment mbërrin një kamionçinë nga një market në Durrës që ka sjellë produkte ushqimore dhe ujë për zjarrfikësit dhe njerëzit që presin fundin e gërmimeve e nxjerrjen e personave nën gërmadha. Kamionçina në xhamin e përparë mbante një kuran.
Më herët dy djemë nga një restorant në Durrës u ofruan të sillnin drekën për zjarrfikësit grekë dhe italianë.
Ndërsa i ndihmoja në përkthim, njëri prej zjarrfikësve më thotë “faleminderit, po thuaji të na sjellin gati 50 pjata makarona të ngrohta”.
Vë re në një moment që punimet intensifikohen dhe në radhën e parë pranë shiritit të verdhë një vajzë e re me kaçurrela përqafon duke qarë një burrë me thinja të dendura, trup mesatar i cili largohet drejt gërmadhave i thirrur nga zjarrfikësit.
Dikush aty pari më thotë se ky është Albert Lala. Kushërira e tij. Znj Myzejene Duçka më thotë se Alberti është keq, vetëm qan, “e ka humbur krejt. Nëna e tij 80 vjeçare Sadete Lala është nxjerrë e vdekur nga rrënojat, edhe i biri i Sadetes, Iliri i paralizuar, po ashtu, po ashtu edhe Amelia Lala 6 vjeçare, kurse djali 17 vjeç doli i gjallë. Brenda janë e shoqja Marjeta me tre fëmijë, dhe një mbesë, Ai ka ardhur me avion me rrobat e trupit ".
Ai sillet sa në vendqëndrimin e zjarrfikësve që planifikojnë punën, sa në vendin ku gërmohet dhe tek familjarët që e thërresin dhe përpiqen ta qetësojnë.
Tani është mes zjarrfikësve të cilët përmes ekranit të telefonit i kërkojnë tu shpjegojë planimetrinë e shtëpisë dhe ku mendon se mund të kenë qenë familjarët në momentin e rënies së tërmetit.
I ngrysur, me gjestikulacione të theksuara duke vendosur gishtin mbi ekranin e telefonit të cilin e mban një prej zjarrfikësve, ai shpjegon.
Teksa e shoh me keqardhje të thellë, ndjej tokën të më dridhet nën këmbë. Nuk e kisha ndjerë aq fort dhe aq thellë ndonjëherë tokën brenda meje.
Ishte një ndjesi dekonstruktuese; sa eksperiencë unike, aq edhe e tmerrshme.
Instiktivisht nisa vrapin drejt rrugës kryesore ku në fillim të saj ishin dy policë me të cilët kisha komunikuar shpesh gjatë ditës për informacione të ndryshme.
“E fitove 100 metërshin”- më thanë duke qeshur. Ndërsa punimet u ndërprenë për pak kohë, ndër njerëz ishte rikthyer tmerri. Lëkundjet ishin 5,6 rihter dhe thellësia 10 km.
Ndërkohë mbi ne nisën të fluturonin helikopterë dhe informacione të pakonfimruara më vinin nga lagje të tjera të Durrësit për shembje banesash.
U ktheva sërish dhe shihja të gjitha mediet që interesoheshin për të intervistuar zëdhënësit e ekipeve të zjarrfikësve. Më herët zëdhënësi Italian Luca Cari më kish thënë se situate është shumë e vështirë dhe delikate për ti intensifikuar punimet, “nuk duam të gabojmë”- më tha ai, duke shtuar se “ne do të jemi deri në fund të arritjes së qëllimit tonë”.
Po ashtu mu shpreh edhe përfaqësuesi i ekipit grek, i cili ndihej shumë keq për ngjarjen.
22 vjeçarja Gatu nga ekipi grek m’u shpreh se në të gjithë këtë ngjarje të frikshme, “i rëndësishëm është rezultati”.
Punimet nisën sërish. Tek largohesha nga vendngjarja, u përballa me një ambulancë. Po shpresoja se në ato pak minuta një trup ishte gjetur. Por më konfimruan që jo, ende.
Rrugës për të mbërritur taksinë për në Tiranë, sillja ndërmend Albertin, nënë Feridenë, Naimin, zjarrfikësit italianë dhe qenin e zi që në një moment e fotografova në mendje që po i jepnin ujë duke e përkëdhelur.
Deri tek taksia lash mbas përpos atmosferës së nderë, solidare, lotëve, tendën e zjarrfikësve, makina të shumta të tyre që nga xhamat shquaja punonjës të tjerë brenda që shtypnin në lap top Apple.
Ecja, sillja vetmeve ndërmend copëza historie dhe kontrolloja lëkundjet e fundit duke menduar një natë tjetër me ankth përpara…
Teksa përpiqem të përfundoj shkrimin, njoftohem se Griselda Lala, vajza 15 vjecare e Albertit është nxjerrë e pajetë nga rrënojat e shtëpisë...
Shënim: Ky shkrim është botuar një vit më parë pas tërmetit të 26 nëntorit
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.