Nga Gazeta ‘SI’ – Në vitin 2024, shqiptarët investuan 54.8 mld lekë në borxhin e qeverisë, nga 40 mld që ishte një vit më parë.
Por Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, raporton se numri i transaksioneve ka rënë me 28% dhe janë kryer vetëm 9.891 transaksione, duke treguar se është rritur vlera e tyre.
Shifrat tregojnë se Bonot e Thesarit 12-mujore janë investimi më i preferuar, me më shumë se 30.2 mld lekë të investuara aty. 6 mld të tjera janë investuar në Obligacionet 5-vjeçare dhe pjesa tjetër janë shpërndarë në letra me afate të ndryshme.

AMF tregon se ka një rënie të interesit nga qytetarët e thjeshtë, pra klientët joprofesionistë, transaksionet e të cilëve janë pakësuar me 30% nga një vit më parë. Ndërkohë ka një rritje të transaksioneve nga persona juridikë dhe klientë të kualifikuar.
Përgjatë 2 viteve të fundit, yield-et e letrave me vlerë kanë qenë në nivele minimale, shumë pranë normës së interesit, duke e bërë këtë investim jo shumë tërheqës për qytetarët.
Në një raport të Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë theksonte se rënia e yield-eve të titujve vjen si pasojë e një kërkese më të lartë nga investitorët se sa nevoja e qeverisë për financim. Pritjet për një klimë financiare pa rreziqe, kanë ndikuar gjithashtu në reduktimin e interesit për investimin në borxhin e qeverisë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.